Lushnje, protestë për pronën para policisë, banorët e fshatit: Po na marrin tokën!

Dhjetëra banorë të fshatit Imshtë në Lushnje protestuan para bashkisë, pasi pretendojnë se prona që ata shfrytëzojnë prej 35 vjetësh po u merret për të ndërtuar një park fotovoltaik. Banorët thonë se atë pronë e kanë marrë në përdorim në vitin 1994, ndërsa një subjekt privat pretendon se pronën e ka blerë. Mirëpo, dokumentet zyrtare tregojnë se sipërfaqja e tokës në fjalë nuk ka pronarë.
Banorët e fshatit Imshtë në Lushnje protestuan këtë të martë përpara Komisariatit të Policisë, pasi prej disa ditësh një kompani private ka nisur të rrethojë një sipërfaqe toke buzë lumit Seman, e cila shfrytëzohet prej 35 vjetësh nga këta banorë. Ata pretendojnë se toka po u merret me forcë, me qëllim që aty të ndërtohet një park fotovoltaik.
Këtë tokë, banorët e kanë ndarë sipas frymëve mes fshatit me një vendim të Këshillit të Komunës në vitin 1994. Ndërkohë, investitori pretendon se e ka blerë këtë pronë dhe do të ndërtojë një park fotovoltaik. Por një dokument zyrtar i Agjencisë së Kthimit të Pronave, drejtuar deputetit socialist Erion Braçe, vërteton se prona në fjalë nuk rezulton të jetë e regjistruar as në emër të banorëve të fshatit Imshtë dhe as në emër të ndonjë subjekti privat. Pra, thënë ndryshe, aktualisht prona nuk ka pronarë dhe ajo zotërohet nga shteti








