AKTUALITETTOP-NEWS

E hoqën nga puna/ Protesta ekstreme e gruas në Kuçovë, hypën në shtyllë…

Elona Bregaj, punonjësja e pastrimit e bashkisë Kuçovë ka hypur në një shtyllë dhe ka kërcënuar se do të hidhet pasi është hequr me pa të drejtë nga puna dhe nuk ka marrë as pagat e 2 muajve.

Ajo është, nëna e dy fëmijëve dhe është ngjitur në shtyllën e tensionit të lartë pas shkarkimit nga puna. Punonjëse e një firme pastrimi, gruaja ka ndërmarrë një akt ekstrem duke u ngjitur në një shtyllë të tensionit të lartë dhe duke kërcënuar me vetëflijim. Shkak për këtë veprim është bërë shkarkimi i saj nga puna, bashkë me dy kolege të tjera, pasi kishin protestuar për mosmarrjen e pagave.

Punonjësja, nënë e dy fëmijëve të mitur, pohon se ajo dhe koleget e saj kishin më shumë se dy muaj e gjysmë pa marrë rrogën. Pasi protestuan pranë bashkisë për të kërkuar të drejtën e tyre, përgjigja që morën ishte një letër pushimi nga puna. Sipas saj, kjo është hera e dytë në 15 vite punë që e njëjta kompani e largon padrejtësisht nga puna.
Në një komunikim telefonik me Arnold Kariqin në Syri tv ajo shprehet se ka tentuar të takojë kryetarin e bashkisë për t’i shprehur hallin e saj, por një takim i tillë i është refuzuar me justifikimin se ai ishte i zënë.

Arnold Kariqi: Me kë keni folur në bashki?

Elona Bregaj: Kam folur me Sebiun, se kryetari nuk na doli. I thashë Sebiut, më nxirr te kryetari pesë minuta. Jo tha, nuk ta nxjerr tha, se është i zënë kryetari i bashkisë. Ore pesë minuta i thashë unë sa të flas. Nuk ma nxirrte njeri kryetarin e bashkisë. Tani kanë ardhur këtu të tërë poshtë.

Arnold Kariqi: Ka punonjës të tjerë të cilët janë pushuar?

Elona Bregaj: Kanë hequr para dy muajve, hoqën katër punëtorë të tjerë ata. Tani na hoqën ne tre punëtore.

Arnold Kariqi: Cila është arsyeja e këtyre shkarkimeve sipas tyre, Elona? Apo për t’ju mbyllur gojën që të mos ankoheni?

Elona Bregaj: Asnjë lloj justifikimi. Ata s’të japin shpjegime, vetëm të heqin nga puna. Ja, ky është justifikimi. Vetëm telefoni që kam ikur unë majë shtyllës. Asnjë lloj justifikimi.
Arnold Kariqi: Ndërkohë, kanë tentuar punonjësit e firmës t’ju kontaktojnë? Të arrini një marrëveshje për të mos shkuar në këto masa ekstreme? Apo nuk u ka interesuar fare?

Elona Bregaj: Asnjë, nuk të japin rrugëzgjidhje. Këtu bashkia s’ka… Kjo bashkia jonë është kot. Këtu nuk ka kontroll këtu, këtu në bashkinë tonë.

Arnold Kariqi: Po gjatë kohës së punës, si ka qenë marrëdhënia dhe sjellja e drejtuesve të bashkisë dhe kompanisë? Sa vite keni që punoni aty?

Elona Bregaj: Po 15 vjet e kam. Është hera e dytë që po ma bën kjo kompania, që na hoqi nga puna. Hera e dytë që na hoqi nga puna, para katër vite, pesë vite. Tani e bëri prapë. Çfarë kam bërë unë që më heq mua nga puna? Edhe merr punëtore të tjera në punë. Për çfarë më hoqi nga puna? Çfarë arsye më nxjerr ai? Të paktën më jep një justifikim. Pse kërkoj rrogat? Çfarë kërkoj, rrogën kërkoj. Muaj për muaj, një datë të caktuar. Ai jep rrogën një herë në dy muaj e gjysmë, se i do qejfi atij. Të jep një rrogë edhe një rrogë ta mban brenda. Tani me atë rrogë, çfarë do mbajmë ne? Të lajmë kreditë, të mbajmë bukën, të lajmë drita, ujë, internete.

Arnold Kariqi: Jeni e martuar, keni fëmijë, detyrime?

Elona Bregaj:  Po, po. Jam, dy fëmijë kam të vegjël.

Arnold Kariqi: Bashkëshorti është në punë?

Elona Bregaj:  Jo, jo, është i sëmurë.

Arnold Kariqi: Ndërkohë, çfarë po ndodh aty? Ku je tani?

Elona Bregaj: Unë jam majë kullës, aty te kulla. Ka ardhur policia, kanë ardhur gjithë ata të bashkisë. Tani vijnë këtu, të luten hajde zbrit poshtë. Tani hajde se po futesh në punë thonë. Kjo është zgjidhja, t’i hipësh majë kullës edhe të futesh në punë?

Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe përfaqësues të bashkisë, të cilët po negociojnë për ta bindur të zbresë nga shtylla. Punonjësja shprehet se vetëm pas aktit të saj ekstrem, ata i kanë ofruar rikthimin në punë, një zgjidhje që ajo e konsideron cinike dhe të vonuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button