Shpesh kur lexojmë të dhënat teknike të prodhuesit italian nga Maranello e Italisë, mbesim duke i fërkuar sytë. Veturat e Ferrarit mund të jenë shumë të shpejta.
Një rast i tillë është modeli F8 Tributo që më nuk është në ofertë, por që ka motorin 3.9 litërsh V8 që prodhon 720 kuaj-fuqi, transmeton Telegrafi.
Fuqia motorike bartet në rrotat e pasme, e sipas prodhuesit italian, kjo veturë mund të arrijë shpejtësinë nga 0-100 kilometra në orë për 2.9 sekonda.
Ndërkaq shpejtësinë nga 0-200 kilometra në orë e kap për 7.8 sekonda. Ferrari gjithashtu ka bërë të ditur se shpejtësia maksimale e F8 Tributo mund të shkojë në 340 kilometra në orë.
Por pronari i një veture të tillë ka mendim ndryshe sa i përket shpejtësisë së “bishës” italiane. Me t’u futur në një tunel në Turqi, ai shkeli deri në fund pedalin e gazit, dhe sipas instrument tabelës ka lëvizur me 368 kilometra në orë. Në ato momente veturat që i parakalonte, dukej sikur ishin të ndalura, e dritat e tunelit “verbonin” sytë e të gjithë atyre që e shikonin videon e postuar.