AKTUALITET

Kreshpani me rrjet ujësjellësi, por pa ujë në rubinetat e shtëpive

Cakran – Paradoksi në Krëshpan: Ujësjellësi kalon pranë shtëpive, por 400 familje vazhdojnë të mbushin ujë me bidona në çezmën shelullore të fshatit.

Rreth 1500 banorë të katër lagjeve të fshatit Kreshpan prej dekadash përballen me një problem jetik, mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre. Edhe pse rrjeti i ri i ujësjellësit është shtrirë dhe janë vendosur kabinat përkatëse, familjet ende nuk janë lidhur me sistemin dhe uji nuk ka mbërritur në çezmat e shtëpive.

Sipas banorëve, burimi kryesor i ujit mbetet një çezmë e ndërtuar nga austriakët në vitin 1912 (115 vjet më parë) dhe e rikonstruktuar në vitin 1968. Çdo ditë, banorë të moshave të ndryshme shkojnë aty me bidona, karroca, kafshë barre apo mjete të tjera për të marrë ujë për të pirë dhe për të gatuar.

Për nevojat e tjera familjare, si larja, pastrimi dhe shërbimet higjienike, ata që kanë mundësi ekonomike kanë hapur puse në oborret dhe kopshtet e tyre private, ndërsa familjet e tjera vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha.

Banorët shprehen se prej vitesh kanë ngritur shqetësimin pranë Njësisë Administrative Cakran dhe Bashkisë Fier, por deri më tani nuk kanë marrë një zgjidhje përfundimtare. Sipas tyre, premtime për furnizimin me ujë janë dhënë vazhdimisht gjatë fushatave elektorale për zgjedhjet vendore apo parlamentare, por situata ka mbetur e pandryshuar.

Ata tregojnë se rrjeti i ujësjellësit është tashmë i shtrirë, kabinat janë vendosur, por mungojnë matësat dhe lidhjet përfundimtare që do të mundësonin furnizimin me ujë të banesave. Gjithashtu, ende nuk është realizuar lidhja e linjës kryesore të ujësjellësit me pompën që ndodhet në qendër të fshatit.

Pas më shumë se një shekulli nga ndërtimi i çezmës së parë, banorët e Krëshpanit vazhdojnë të presin që uji i pijshëm të mbërrijë më në fund në shtëpitë e tyre/ ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button