Merkel thirrje CDU: Ia vlen të reflektojmë, ndërtoni ura bashkëpunimi

Ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, u bëri thirrje të hënën partisë së saj Kristian Demokrate (CDU) të ndërtojnë ura bashkëpunimi pas humbjeve të mëdha të partisë në dy zgjedhje shtetërore.
Zgjedhjet e së dielës ishin një “katastrofë” për CDU-në, sipas fjalëve të pasardhësit të Merkelit, Friedrich Merz, pasi partia ra në performancën e saj më të keqe ndonjëherë në shtetin verilindor të Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa humbi edhe postin e kryetarit të bashkisë në Berlin.
Në Mecklenburg-Vorpommern – shteti i zonës zgjedhore të Merkelit prej kohësh në Bundestag, dhomën e ulët të parlamentit të Gjermanisë – CDU madje u eliminua plotësisht nga parlamenti i shtetit pasi fitoi 4.9% të votave, nën pragun prej 5% të nevojshëm për të fituar vende.
Merkel u shfaq të hënën në hapjen e një ekspozite arti në Bundestag, ku shfaqej një portret i paraardhësit të saj Konrad Adenauer, kancelari i parë i Gjermanisë Perëndimore të pasluftës.
“Në një ditë si sot dhe pas një mbrëmjeje si dje, ndoshta ia vlen të reflektojmë edhe një herë mbi atë që mund të mësojmë nga Konrad Adenauer”, tha ajo.
Adenaueri mësoi nga gabimet e historisë se ishte e rëndësishme “të ftoje njerëzit, t’u drejtoheshe të gjithëve dhe të ishe i vetëdijshëm për vlerat e tua”, pohoi Merkel.
“Për të, ishte e qartë se duheshin ndërtuar ura”, tha ajo. “Dhe në të njëjtën kohë, automatikisht u bë e qartë se me kë nuk mund të ndërtoheshin ura.”
Pas Luftës së Dytë Botërore, Merkel tha se nevojiteshin ura lidhëse midis punëdhënësve dhe punonjësve, burrave dhe grave, mjedisit dhe ekonomisë, qytetit dhe fshatit, midis besimeve fetare dhe midis brezave.
“Sot, do të shtoja: midis njerëzve me dhe pa histori migrimi”, shtoi Merkel./ DPA News.










