
Investimet publike të përfshira në raportin e gushtit 2026 kanë shënuar një realizim prej vetëm 34% të buxhetit operativ. Nga rreth 158 mil
Investimet publike të përfshira në raportin e gushtit 2026 kanë shënuar një realizim prej vetëm 34% të buxhetit operativ. Nga rreth 158 miliardë lekë fonde të parashikuara, shpenzimet faktike arrijnë në 53,8 miliardë lekë, duke lënë mbi 104,2 miliardë lekë (1,1 miliardë euro) ende të pashpenzuara.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, rrugët përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të kryera, hekurudhat dhe emergjencat civile kanë nivele shumë më të ulëta realizimi. Një peshë të konsiderueshme në fondet e pashpenzuara kanë edhe projektet e mëdha të mbrojtjes.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucioni me buxhetin më të madh, ka realizuar 7,8 miliardë lekë nga 29,6 miliardë lekë të parashikuara, ose vetëm 26,4% të programit vjetor.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka një realizim më të lartë, prej 50,9%, pasi shpenzimet e këtij enti në 8 mujor arrijnë në rreth 12,5 miliardë lekë, kundrejt një buxheti vjetor prej 24,5 miliardë lekësh.
Së bashku, këto dy institucione kanë rreth 33,8 miliardë lekë fonde të pashpenzuara, ose afërsisht një të tretën e diferencës totale ndërmjet programit vjetor dhe faktit.
Të dhëna të detajuara nga thesari i Ministrisë së Financave tregojnë se në nivel programesh, rrjeti rrugor ka shpenzime faktike prej 17,3 miliardë lekësh, duke përfaqësuar rreth 32% të të gjitha shpenzimeve të realizuara në 8-mujor.
Nga investimet në infrastrukturë situata është më e dobët në transportin hekurudhor. Nga një buxhet prej rreth 5,9 miliardë lekësh, janë regjistruar shpenzime prej vetëm 540 milionë lekësh, ose vetëm 9,2% e programit vjetor. Menaxhim i mbetjeve urbane ka gjithashtu realizim shumë të ulët me vetëm 16,2%.
Edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si institucion, ka një nivel veçanërisht të ulët realizimi. Shpenzimet faktike janë rreth 32 milionë lekë, kundrejt një buxheti prej 2,34 miliardë lekësh, ose vetëm 1,4%.
Një pjesë e madhe e fondeve është e lidhur me projekte për të cilat nuk janë regjistruar shpenzime. Nga përpunimi i të dhënave rezultojnë 1,353 projekte me buxhet të programuar dhe fakt zero. Buxheti i tyre i përgjithshëm arrin në rreth 69,5 miliardë lekë, ose 44% të totalit.
Projektet më të mëdha që nuk janë realizuar i përkasin Ministrisë Mbrojtjes dhe forcave të luftimit të tilla si blerja e një anijeje patrulluese luftarake, me buxhet 3,2 miliardë lekë, bateritë e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme, me 2,8 miliardë lekë, blerja e një helikopteri UH-60 Blackhawk, me 2,85 miliardë lekë dhe një sistem raketor me rreze të mesme, me 2,43 miliardë lekë.
Niveli i deritanishëm i shpenzimeve për investime sugjeron akumulim të fortë të përdorimit të buxhetit të shtetit në fund-vit. Realizimi i plotë do të kërkonte shpenzime mesatare prej rreth 26,1 miliardë lekësh në muaj gjatë shtator–dhjetorit. Ky ritëm do të ishte afërsisht 3,9 herë më i lartë se mesatarja e tetë muajve të parë./ B.Hoxha










