POLITIKË

I kërkoi Ramës të hapë rrugën, Spiropali nuk shkon në mbledhjen e Grupit Socialist

Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialistë mëngjesin e kësaj të marte. Bëhet me dije se në mbledhjen e sotme të grupit nuk ka qenë e pranishme deputetja Elisa Spiropali, e cila pak ditë më parë iu drejtua Edi Ramës me një letër të hapur, ku i kërkonte zgjidhje politike për situatën e krijuar, pas protestave studentore. 

Arsyeja e mungesës së Spiropalit në mbledhje ende nuk dihet, ndërkohë mbledhja vjen në një kohë kur vendi është përfshirë në protestave masive. Rama në fjalimin e tij u ka kërkuar deputetëve socialistë të vijojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me qytetarët, për të dëgjuar nga afër pakënaqësitë e tyre.

Sipas Ramës, mosdalja e deputetëve në terren po krijon idenë në perceptimin publik sikur ata janë fshehur për shkak të protestave.

“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë?”, mësohet t’u ketë thënë Rama deputetëve socialistë.

Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.

Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button