Një flutur te koka e vogëlushit për dy ditë radhazi… A mos ishte Ermal Lulaj që u kthye për të përqafuar të birin?”

Fier – Në mes të një parku të mbushur me fëmijë, mes lojërave, të qeshurave dhe rrezeve të diellit, për dy ditë radhazi ndodhi diçka që preku thellë zemrat e familjarëve të vogëlushit Siar.
Një flutur e bardhë i qëndronte pranë kokës. Ditën e parë, gjithçka u duk si një rastësi e bukur. Kur ma treguan, mendova se ishte thjesht një nga ato momentet e vogla që natyra na dhuron pa ndonjë shpjegim të veçantë.
“Ka qenë Ermali”, pëshpëriti tezja e vogëlushit.
Por historia nuk përfundoi aty. Edhe ditën e dytë, në të njëjtin park, flutura e bardhë u shfaq sërish dhe qëndroi pranë kokës së Siarit.
“Prapë një flutur te koka e Siarit”, tha tezja.
Këtë herë nuk mund t’i mbaja dot lotët. Në atë çast, për familjarët, ajo flutur nuk ishte më thjesht një vizitore e rastësishme. Ishte bërë një simbol, një kujtim, një mënyrë për të ndier praninë e dikujt që mungon shumë.
Pse pikërisht Siari? Në një park plot me fëmijë, në një ditë të bukur e me diell, pse ajo flutur iu afrua të njëjtit vogëlush për dy ditë radhazi?
Ermal Lulaj, shefi i Krimeve në Vlorë, u nda nga jeta duke lënë pas një dhimbje të madhe, por edhe një boshllëk që as koha nuk mund ta mbushë. Ai nuk arriti ta shijonte rritjen e djalit të tij, i cili sapo ka mbushur dy vjeç. Nuk arriti të dëgjonte nga goja e vogël e Siarit fjalën aq të ëmbël, “baba”, as të përjetonte të gjitha ato çaste që çdo prind ëndërron.
Sot, Siari është ende shumë i vogël për ta kuptuar mungesën e të atit. Por ndoshta, një ditë, dikush do t’ia tregojë këtë histori: se në një park të mbushur me fëmijë, për dy ditë radhazi, një flutur e bardhë qëndroi pranë kokës së tij.
Dhe familjarët do t’i tregojnë se në atë flutur panë një shenjë dashurie, një përqafim nga qielli, një kujtim të babait që nuk do të jetë më pranë tij fizikisht.
Sepse ka mungesa që nuk shpjegohen me fjalë dhe dashuri që nuk shuhet as me largimin.
Eh, Ermal! Nuk arritët të rriteshit bashkë me të, por ndoshta, në sytë e atyre që ju duan, ajo flutur ishte mënyra më e bukur për t’i thënë Siarit se babai i tij nuk do të harrohet kurrë.
Një engjëll që viziton një engjëll të vogël…






