27 tonë mish derri me probleme nga Brazili, 4 inspektorë të AKU shkarkohen nga detyra, 3 nga Fieri

Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra për shkelje gjatë kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh mish derri, të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT. Masa disiplinore është marrë ndaj inspektorit L.B., në pikën e kontrollit kufitar në Durrës, si dhe tre inspektorëve të AKU-së në Fier, me iniciale E.T., K.K. dhe M.G.
Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektori në Durrës nuk kishte verifikuar siç duhet dokumentacionin e ngarkesës, autorizimin e subjektit eksportues dhe vërtetësinë e certifikatës shoqëruese, duke lejuar kalimin e mishit në kundërshtim me kërkesat ligjore.
Ndërkohë, tre inspektorët në Fier nuk kishin evidentuar të gjitha shkeljet dhe kishin vendosur një masë administrative që nuk përputhej me rëndësinë e tyre. Vendimi për shkarkimin e katër punonjësve u mor pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të dy seancave dëgjimore nga Komisioni Disiplinor.
Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar gjithashtu një verifikim më të gjerë të procedurave të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe kontrollin e ngarkesës, me qëllim identifikimin e përgjegjësive të të gjitha strukturave të përfshira.








