Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMITurizmi/ Kush janë turistët që shpenzojnë më shumë, kush janë “kurnacët”

Turizmi/ Kush janë turistët që shpenzojnë më shumë, kush janë “kurnacët”

Si po ndikon në konsum lulëzimi turistik që po përjeton vendi këtë vit. Operatorët turistikë ankohen se shteti nuk po bën asgjë për të nxitur përdorimin e produkteve vendase. Pjesa më e madhe nuk preferojnë të shpenzojnë shumë, teksa turistët e aventurës janë “me duar në xhepa”.

Nga Armela Toska

Stefania dhe Brend Olsen, 69 dhe 70 vjeç nga Norvegjia, qëndruan në vendin tonë për 40 ditë, vetëm me një çantë shpine dhe entuziazmin për të zbuluar një vend të ri.

Ata zgjodhën Shqipërinë, sepse kishin dëgjuar për natyrën e bukur të paeksploruar të vendit. Për 40 ditë vizituan qytetet e Jugut dhe Veriut, ku Berati u ngjalli shumë mbresa. Ushqimi, historia, natyra dhe çmimet e lira ishin arsyet pse qëndruan kaq gjatë.

“Shpenzuam vetëm 4 mijë euro për akomodimin dhe për gjithçka tjetër, një përvojë e paharrueshme që do të donim ta kishim përjetuar më parë.

Ne kemi ngrënë në shtëpitë e vendasve, kemi qëndruar në shtëpitë e tyre falas ose shumë lirë, mikpritja juaj është virtyti më i mirë i këtij vendi” – u shprehën ata, teksa i gjejmë duke shëtitur në qendër të Tiranës në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri.

Shqipëria këtë vit po shënon një tjetër bum turistik. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar në 4-mujorin e parë është 3.64 milionë. Ky numër është rritur me 38.6%, krahasuar me janar-prill 2022 dhe është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë.

Burimi: INSTAT

Përveç shtetasve nga Kosova dhe vendeve të tjera të rajonit, që tradicionalisht janë vizitorët më besnikë, vitet e fundit janë rritur turistët nga vendet e Europës Perëndimore, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Anglinë dhe shtetet nordike. Prirje në rritje kanë shfaqur edhe vizitorët nga Azia dhe SHBA.

Burimi: Ministria e Turizmit

Njihuni me turistët më “pijedashës” e deri tek ata më “koprracët”

Kudo nëpër Shqipëri, këto ditë mund të hasësh turistë nga më të ndryshmit. Ka aventurierë që udhëtojnë me çanta shpine, të tjerë që janë kureshtarë për historinë e vendit, shumë zgjedhin paketa me të gjitha të përfshira në bregdet.

Shqipëria është aq e larmishme, sa ka vend për të gjithë. Ka nga ata që nuk kursejnë, por ka dhe shumë “koprracë”. Në fund të fundit, në Shqipëri shumë prej tyre vijnë sepse kanë dëgjuar se është lirë.

Tendencat e konsumit janë nga më të ndryshmet, sipas një vëzhgimi që “Monitor” kreu në terren, si duke pyetur turistët, ashtu dhe operatorët tregtues.

Alkooli preferohet kryesisht nga turistët e Europës Perëndimore si holandezët, gjermanët dhe belgët.

Bruno Selviaj, menaxheri i “New Irish Pub”, thotë se klientët më të mëdhenj në klubin e tij janë holandezët, të cilët konsumojnë dy herë më shumë se turistët e tjerë.

Të njëjtën tendencë pohon edhe Rigers Kaçori, nga Kantina Arbëri, ku thotë se turistët nga Europa Perëndimore janë më të interesuar për verën shqiptare, por vitet e fundit janë shtuar edhe turistët nga Ballkani. Kjo po ndodh edhe në strukturat akomoduese ku konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë ballkanasit.

Nga ana tjetër, turistët që nuk kursehen në paketa, në suvenire dhe restorante janë shtetas anglezë dhe nordikë. Sipas z. Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, konsumatorët që shpenzojnë më shumë në restorante në Shqipëri janë shtetasit nga Anglia, të cilët janë kryesisht në kërkim të ushqimeve tradicionale dhe një përvoje autentike.

Edhe në sektorin e suvenireve vërehet i njëjti trend, anglezët parapëlqejnë të blejnë më shumë produkte të artizanëve shqiptarë. Lindita Metohollari, që tregton suvenire në qendër të Tiranës, thotë se qytetarët anglezë blejnë produktet e punuara me drurë apo gurë, ndryshe nga turistët e tjerë që priren për të blerë magnet apo fanellat me simbole të vendit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, në 3 muajt e parë të vitit kanë hyrë rreth 24 mijë anglezë, në rritje me 28% nga viti i kaluar.

Turistët italianë dhe polakë, të cilët sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit janë më të shumtët në numër, zgjedhin të mos shpenzojnë shumë gjatë pushimeve në Shqipëri.

Vizitorët nga Polonia nuk preferojnë të dalin aspak nga paketat “all inclusive”, thotë Fatos Çerenishti, president i “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Premium”.

“Polakët preferojnë paketa ‘all inclusive’ që përfshijnë gjithçka: akomodim, transport, ushqim, ture të ndryshme etj. Nuk kërkojnë asgjë që nuk kanë në paketë, qoftë edhe një pije më shumë”, nënvizoi z. Çerenishti.

Nga ana tjetër, italianët që nuk zgjedhin paketa “all inclusive” zgjedhin opsione më të lira në akomodim, restorante dhe madje në blerjen e suvenireve.

Zonja Metohollari thotë se turistët nga Italia shpesh kërkojnë ulje për produkte si konjaku apo raki, gjë që rrallë ndodh me turistët e tjerë, vetëm për ata turq dhe arabë që e kanë në kulturën e tyre, të bërit “Pazar”.

Italianët preferojnë zgarat, “Tymi” ku ushqimi është tradicional, por më i lirë – nënvizoi Jahaj.

Në 3 muajt e parë të vitit në vend hynë 110 mijë shtetas italianë, me rritje 49% nga janari në mars 2022.

Shqipëria parapëlqehet më së shumti për natyrën e saj gjithëpërfshirëse, si dhe çmimet e lira që janë një nxitje e madhe për turistët e huaj, që të mos shpenzojnë shumë gjatë pushimeve të tyre këtu.

Sipas një vëzhgimi në terren, një familje me 4 anëtarë shpenzon mesatarisht vetëm 1500-2000 euro në një javë. Kjo është një shumë e vogël në krahasim me fqinjët tanë, Greqinë, ku shpenzohen mesatarisht 1000 euro për person në javë, sipas Eurostat.

“Një nga arsyet pse zgjodhëm Shqipërinë është se ky vend është shumë i lirë për ne, kemi qëndruar 11 ditë dhe kemi shpenzuar afro 1500 euro për dy persona” – thonë Elizabeth dhe Melinda Miller, 24 dhe 21 vjeç, nga Anglia.

Jeremias Tarella, 38 vjeç nga Argjentina tregon për “Monitor” se ka rezervuar një paketë 6-ditore 1800 euro për 4 persona, ku përfshihet gjithçka.

“Nuk mendoj se do të shpenzoj më shumë se 200-300 euro jashtë paketës”, thotë ai. Shtimi i turistëve po sjell më shumë të ardhura në ekonomi.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave, në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga udhëtimet arritën në një nivel prej 624 milionë eurosh, që është rekordi më i lartë historik dhe pothuajse dy herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2019, përpara pandemisë dhe 52% më shumë se tremujori i parë i 2022.

Sipas të dhënave të Bankës për shumën e shpenzuar nga ata që udhëtojnë në Shqipëri dhe të INSTAT për numrin e shtetasve të huaj, rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 580 euro për kohën e qëndrimit në Shqipëri.

Burimi: Banka e Shqipërisë
Tendencat e konsumit:
-Holandezët konsumojnë alkool dy herë më shumë se turistët e tjerë
-Anglezët dhe nordikët nuk kursehen në paketa, në suvenire dhe restorante
-Turistët italianë dhe polakë janë më “koprracët”
– Italianët preferojnë zgarat, “tymi” ku ushqimi është tradicional, por më i lirë
– Italianët, por edhe turqit, bëjnë “pazar” për çmime më të lira
-Aventurierët vijnë me “bukë me vete”, pothuajse nuk shpenzojnë asgjë

Hotelet, jo përtej “All inclusive”

Strukturat akomoduese në Shqipëri ofrojnë përgjithësisht paketa “all inclusive” (që përfshijnë çdo shërbim), turistët që shpenzojnë jashtë këtyre paketave janë të rrallë.

Sipas Fatos Çerenishtit, president i “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Premium”, turistët e huaj nuk shpenzojnë për gjëra jashtë paketës, asnjë specialitet të restorantit apo ndonjë koktej në lokal.

“Norvegjezët dhe suedezët, edhe pse nuk i parapëlqejnë festat dhe argëtimin, konsumojnë më shumë produkte dhe shërbime jashtë paketave. Ata shijojnë verërat dhe rakinë dhe kërkojnë ushqime tradicionale të vendit”.

“Nordikët kanë nevojë për një treg specifik, ata nuk i duan festat, muzikën me zë të lartë, pëlqejnë të qëndrojnë pranë pishinës, të lexojnë një libër etj.

Për këtë arsye, jo shumë struktura mund t’u përshtaten nevojave të tyre. Nga ana tjetër, polakët dhe turistët nga Ballkani pëlqejnë festimet argëtuese me shfaqje të ndryshme ku mund të përfshihen më shumë” – nënvizoi Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, në 3-mujorin e parë të vitit në vend hynë rreth 1 mijë qytetarë nga Norvegjia dhe 3 mijë nga Suedia, me rritje përkatësisht 54% dhe 70%.

Ndërkohë, polakët që janë konsumatorë dhe zgjedhin mënyra të ndryshme argëtimi, nuk shpenzojnë jashtë paketave “all inclusive”.
Lihla Kamiński, turiste 34 vjeçe nga Polonia, thotë për “Monitor” se nuk mendon se do të paguajë asgjë jashtë paketës së rezervuar.

“Mendoj se nuk do të na duhet gjë përtej ofertës që paguam, ne kemi të përfshirë guidën, ushqimin, transportin brenda qyteteve dhe akomodimin,

Është e vërtetë që nuk kemi paguar shumë, rreth 2500 euro për mua dhe burrin tim dhe 1500 euro për dy vajzat, por nuk planifikojmë të shkojmë në turne, në muze apo restorante që janë jashtë paketës”, – thotë Kamiński.

Në periudhën janar-mars, në vend kanë hyrë rreth 3.6 mijë polakë, me një rritje 67% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kantinat, ballkanasit po shfaqin më shumë kureshtje për verën shqiptare

Shqipëria ka një traditë të gjatë dhe krenare të prodhimit të verës që daton mijëra vite më parë. Klima mesdhetare, toka pjellore dhe varietetet e ndryshme të rrushit ndihmojnë në prodhimin e verërave cilësore që është një nga arsyet pse vendi ynë duhet të vizitohet.

Turizmi gjithnjë e më shumë po bëhet trampolinë për rritjen e konsumit të pijes së verës dhe për të gjithë produktet “Made in Albania” në të gjithë sektorët e saj e jo vetëm në industrinë e verës. Një turist i huaj tërhiqet jo vetëm të vizitojë Shqipërinë, por të zbulojë edhe varietetet autoktone të prodhimit të verës.

“Deri më tani jemi përafërsisht në shifrat e vizitorëve të para pandemisë. Jam optimist se këto numra do të rriten dhe mund të arrijmë rreth 2500-3000 vizitorë deri në muajin gusht. Kjo sigurisht do të përbëjë një rekord i ri për kantinën tonë” – thotë Rigers Kaçori, nga Kantina Arbëri.

Kureshtjen më të madhe për verën vendase e kanë europianët, por vitet e fundit po interesohen më shumë vizitorët nga Ballkani.

“Këtë vit, turistët vijnë kryesisht nga Europa, si çekë, francezë dhe gjermanë. Me sa duket nuk ka ndryshuar trendi i përvitshëm që gjatë tureve të verës, europianët të interesohen më shumë.

Por kureshtje më të madhe për ta zbuluar Shqipërinë nga aspekti i prodhimit të verës po shfaqin edhe ballkanasit” – tha ai.

Jeta e natës, turizmi oksigjen për kryeqytetin

Turistët e rinj janë në kërkim të një jete nate të gjallë që të jetë sa më e zhurmshme dhe argëtuese. Kryeqyteti ynë e ofron këtë jo vetëm gjatë stinës së verës, por gjatë gjithë vitit.

Zona e Bllokut është veçanërisht e njohur, me bare, klube dhe restorante të shumta. Ka një shumëllojshmëri të zhanreve muzikore, nga grupet elektronike tek ato live.

Turistët janë oksigjen për klubet në Tiranë gjatë sezonit të verës, pasi kryeqyteti braktiset nga të rinjtë shqiptarë që zgjedhin
festivalet apo lokalet në Jug.

Bruno Selviaj, menaxheri i “New Irish Pub”, thotë se gjatë fundjavave klubet në Tiranë mbushen kryesisht nga turistë që kompensojnë mungesën e të rinjve shqiptarë.

“Në verë nuk kemi shumë vendas, por shumë të huaj, që preferojnë të pinë më shumë se të rinjtë shqiptarë. Kemi më shumë konsumatorë anglezë dhe amerikanë. Ata që pinë më shumë alkool janë holandezët, të cilët e mbajnë shumë më mirë alkoolin. Ata preferojnë më shumë pije me vodka, rum, uiski dhe xhin.

Polakët dhe turistët nga Ballkani konsumojnë shumë më pak, pasi janë më të rezervuar dhe nuk e frekuentojnë shumë jetën e natës, të paktën këtu në Tiranë, jo”.

Në zonat bregdetare në Jug janë çelur klubet për sezonin, të cilat qëndrojnë të hapura nga muaji maj deri në tetor.
Klodjani, menaxheri i “Tipsy Drinks & More” në Sarandë, thotë se e mban të hapur klubin e tij vetëm në sezonin turistik, pasi klientët kryesorë janë turistët e huaj.

“Kemi më shumë konsumatorë italianë, të cilët pinë më tepër se turistët e tjerë, zgjedhin birrat e huaja, por edhe koktejet me baza të ndryshme alkooli.

“Numri i turistëve çekë në Sarandë ka filluar të rritet që nga viti i kaluar dhe gjithnjë e më shumë preferojnë të frekuentojnë klubet. Ata pëlqejnë muzikën live, si dhe tekno kohët e fundit”

Sipas Andi Malkaj, menaxher në “Illirian Garden” në Durrës, klientët më të shumtë janë nga Italia, por ata që shpenzojnë më shumë për alkoolin dhe në tavolina mbeten holandezët. Gjatë gjithë vitit kemi turistë, por sigurisht që bumi i madh nis në maj dhe përfundon në fund të tetorit.

Sistemi i komplikuar i transportit rrit biznesin e makinave me qira

Lucia Kooanova, 27 vjeçe, turiste nga Sllovenia, thotë se ka marrë një makinë me qira për një javë, për të lëvizur në qytetet që planifikon të vizitojë.

“Kam ardhur në Shqipëri me familjen e të dashurit dhe kemi menduar të marrim një makinë me qira. Ishte pak e vështirë për ne të kuptonim sistemin e transportit këtu.

Ndaj vendosëm për një makinë që mund të transportojë 4 persona. Ne kemi Airbnb në Durrës dhe po shkojmë në qytete të ndryshme në qendër të Shqipërisë, por edhe në jug si Berat dhe Gjirokastër.

Ndryshe nga shtetet e tjera, në Shqipëri është e pamundur të orientohesh me “Google map”, që do t’iu mundësonte turistëve të përdornin sistemin e transportit publik, duke nxitur tregun e makinave me qira.

Klienti tipik i tregut të makinave me qira në Shqipëri mbetet ai europian, që zgjedh një mjet ekonomik, për të cilin nuk shpenzon shumë dhe i lejon të vizitojë për një javë, pikat më të bukura të Shqipërisë.

Kompanitë raportojnë për një kërkesë 30% më të lartë që në muajt e parë të vitit dhe klientët më të shpeshtë të kësaj periudhe janë të rinjtë europianë. Vera pritet të vijë me fluks të ri, që kompanitë i ka gjetur të përgatitura me flotë të rinovuar.

Eliana Bakiri, administratore e “Top Tour”, shprehet se ndikim për këtë ka dhënë rritja e numrit të festivaleve që zhvillohet në vend, sidomos përgjatë bregdetit.

“Mosha e klientëve nis nga 19 vjeç deri në 73 vjeç, sa na lejohet, por sezoni i sivjetshëm është shumë i përqendruar te të rinjtë. Mendoj se ndikim kanë dhënë festivalet që kanë nisur të organizohen, ku kryesisht shkojnë të rinjtë.

Kur flasim për pushime të ndërmjetme që mund të jetë në periudhën e Pashkëve apo disa festa të tjera, ata që vijnë drejt Shqipërisë janë familjarët. Edhe në verë mbizotërojnë familjarët”, – pohon znj. Bakiri.

Suvenirët / Turistët kanë filluar gjithnjë e më shumë të bëjnë “pazar”

Të bësh “pazar” është pjesë e shumë kulturave, jo vetëm shqiptare. Këtë e konfirmojnë edhe tregtuesit e suvenirëve në Tiranë, të cilët thonë se turistët e huaj çdo vit tentojnë të negociojnë çmimet, edhe pse ato mund të jenë fikse.

Lindita Metohollari thotë se prej më shumë se 15 vitesh ka biznesin e saj në qendër të Tiranës dhe është shumë e habitur nga kërkesat për të ulur çmimin nga turistët.

“Italianët, por edhe turqit, gjithmonë pyesin nëse mund ta blejnë produktin më pak se zakonisht. Për shembull, një shishe konjak mund të jetë nga 15-25 euro, ata e fillojnë blerjen me 10 euro. Është shumë e çuditshme, sepse kjo nuk ka ndodhur më parë.

Arabët kërkojnë zbritje, por jo për këto gjëra, më shumë për punime druri apo guri, të cilat janë më të shtrenjta se të tjerat. Megjithatë shumica përfundojnë duke mos blerë asgjë, sepse nuk janë dakord me çmimet”.

Bizneset thonë se, edhe pse numri i turistëve këtë vit është rritur, shitjet kanë mbetur në vendnumëro. Magnetet dhe fanellat janë produktet që blejnë më shumë, ndërsa anglezët dhe amerikanët priren më shumë drejt produkteve më të shtrenjta dhe artizanale.

Turizmi i aventurës, “me duar në xhepa”

Turizmi i aventurës si “off road” apo eksplorimi dhe ecjet në mal etj., nuk janë një koncept i ri në ofertën turistike të vendit. Ky lloj turizmi është kryesisht sezonal, sepse lidhet ngushtë me financat e njerëzve, si dhe me motin, Konstatimet e ekspertëve të turizmit tregojnë se turistët që po na vizitojnë (jo të gjithë) duan të shpenzojnë sa më pak të jetë e mundur.

“Turisti ynë i aventurës vjen me kamperin e tij, me ushqime me vete me kayakun e tij dhe këtu thuajse nuk shpenzon asgjë, por vetëm shfrytëzon natyrën, duke lënë shumë pak të ardhura tek ekonomitë lokale.

Ne hasim shpesh banorë të zonave ku janë kanionet në vend, që kanë investuar në bujtina, në kantina, në vendparkime kamperash dhe çmimet janë modeste, për shembull një vendparkim kamperi për një natë kushton 200 lekë, por të huajt nuk e shohin si alternativë, duke pasur mundësinë të qëndrojnë lirisht kudo.

Mendoj se duhet të gjejmë një strategji që të rrisim të ardhurat nga turizmi i aventurës, por edhe të ruajmë natyrën që kemi” shprehet Alma Spathara, eksperte turizmi dhe pjesë e Albania Rafting Group.

Roland Dermyshi, nga “Off limits Albania”, thotë se turistët që pëlqejnë më shumë këtë lloj turizmi janë të grupmoshës 35-55 vjeç. Kjo lidhet edhe me faktin se në këtë periudhë nuk ka studentë dhe kryesisht janë familjarët që i bëjnë pushimet herët.

“Tani nuk kemi shumë të rinj, studentë, por shumica janë familjarë, pensionistë që kanë paguar oferta të ndryshme nëpër resorte dhe blejnë edhe turet tona.

Zgjedhin turin Bovillë-Krujë që shkon mes maleve, në Qafë Thanë dhe përfundon në Krujë. Kemi më shumë klientë nga Polonia, por vitet e fundit nuk kanë munguar edhe ata nga Europa Perëndimore, si Gjermania dhe Belgjika.

E çuditshmja është se tregu sllav, si kroatët dhe çekët, nuk e pëlqejnë këtë lloj turizmi dhe janë shumë të paktë në numër në klientelën sonë”- shprehet z. Dermyshi

Christel Brehm, 65 vjeç, nga Gjermania, thotë se turet jashtë rrugës janë një nga arsyet kryesore të ardhjes së saj në Shqipëri.

“Nuk e kam menduar kurrë që në këtë moshë do të bëja turizëm aventure. Kam filluar rastësisht zip-lining në Austri tre vite më parë dhe që atëherë kam kërkuar destinacione të panjohura të cilat ofrojnë këtë lloj turizmi.

Është shumë i sigurt për ne dhe kam zgjedhur të bëj disa lloje turesh të tilla në të gjithë Shqipërinë. Kjo është edhe arsyeja pse vendosëm të vinim”.

Net-qëndrimet, të rinjtë qëndrojnë më gjatë, kryesisht për të eksploruar

Në një vëzhgim në terren, konstatojmë se vizitorët e huaj në vend zgjedhin të qëndrojnë mesatarisht një javë, duke qëndruar 1-2 ditë në kryeqytet, 2 ditë në Veri dhe 3 të tjera në Jug.

Të rinjtë zgjedhin kryesisht të qëndrojnë më gjatë, për rreth 10 ditë, pasi përpiqen të eksplorojnë natyrën nëpërmjet udhëtimeve me makinë, ecjeve në mal dhe kampeve.

Elizabeth dhe Melinda Miller, 24 dhe 21 vjeç, nga Anglia, thonë se qëndruan rreth 11 ditë në Shqipëri, duke zgjedhur të eksplorojnë të gjithë vendin nga Jugu në Veri dhe dita e fundit i gjen në Tiranë.

“Zgjodhëm Shqipërinë sepse kishim dëgjuar shumë për bukurinë e vendit, dhe është vërtet i tillë. Ishte një përvojë fantastike dhe shpresojmë ta vizitojmë përsëri. Bëmë ecje në mal në shumë zona të vendit, nga Veriu në Jug. U dashuruam me Thethin”- thanë vajzat. /Monitor

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME