Ditën e sotme pedagogët kanë dalë në protestë para Universitetit të Arteve teksa kërkojnë që të plotësohen kërkesat e tyre.
Mes kërkesave që ata i kanë konsideruar si të panegociueshme janë rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës dhe rritja e financimit për kërkimin shkencor.
Pedagogët kërkojnë rritje 50 për qind të pagës, me dy faza 30 për qind një vit dhe 20 për qind vitin tjetër.
Kjo protestë vjen pak ditë para nisjes së vitit të ri akademik, ku pedagogët kanë paralajmëruar se do të ketë bojkotim nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre.
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi tha se kërkesat e tyre kryeministri i quajti ultimatume, duke shtuar se pagat e pedagogëve nuk janë në përputhje me tregun e punës.
“Ka pasur keqkuptime mbi përmbajtjen e peticionit, ka pasur sugjerime që propozimi të përfundojë me një manifest. Ne e kemi thënë që nuk bëhet fjalë për rrogën e një pedagogu që të mbajë familjen e tij, por që të jetë dinjitoz. Kemi kërkuar rritje 30% këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm. Duke u nisur nga kriza ekonomike ne e kemi zbritur kërkesën duke qenë solidarë me këtë situatë. Kërkesat tona kryeministri i quajti ultimatum, por i themi kryeministrit ta shikojë universitetin me një sy tjetër. Sot gjendja e profesoratit është në një tjetër gjendje dhe nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë dhe nuk ka pasur rritje. Nëse e krahasojmë me Kosovën ka ardhur koha të mos themi që ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, por ta bëjmë si Kosova”, tha ai.
Protesta vazhdon.