OP/ AN

A e bleu Samir Mane lirimin e djalit nga burgu dhe heshjen e mediave?!

Nga Denis Dyrnjaja – A e bleu Samir Mane lirimin e djalit nga burgu dhe heshtjen e mendiave?!

Çdo javë raportohen në komunikatat e policisë ndalime personash dhe referenca ligjore për ta në shkelje të kodit penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Problematikat më të shpeshta hasen në përdorimin e automjeteve pas konsumiimit të pijeve alkoolike apo lëndëve narkotike, duke rritur rrezikun për dëmtimin e jetës së personit apo pronës në aksidente të ndryshme rrugore. Dikur kjo futej në grupin e shkeljeve administrative, por me masivizimin e aksidenteve nën efektin e pijeve alkoolike dhe drogës me pasoja të rënda për jetën dhe pronën, legjislacioni u ashpërsua, duke e kategorizuar këtë shkelje te veprat penale.

Por çfarë thotë kodi penal kur një person ka konsumuar pije alkoolike apo lëndë narkotike. Për këtë na vjen në ndihmë “Neni 291 i KP, Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt i cili thotë: “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur, nën efektin e lëndëve narkotike apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë dënohet me burgim nga dhjetë ditë deri në tre vjet.

Gjykata mund të vendosë zëvendësimin e dënimit me burgim, me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit.” Ky është vetëm pasazhi i parë i ngjarjes, pastaj varësisht nga dinamika, situata rëndohet psh kur ka dëme të jetës së personit nga plagosja deri te humbja e jetës, apo dëme të pasurisë që preket nga një tjetër nen i kodit penal praktikisht neni 150 i cili parashikon se kur ka shkatërrim apo dëmtim të pronës dënohesh me gjobë ose burgim deri në tre vjet.

Ndërkohë për largimin e personit shkaktar të aksidentit nga vendi i ngjarjes kodi penal parashikon një tjetër ndëshkim. Ja çfarë thuhet në nenin 273 të tij: Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo të çdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale, civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 1 vit. Nëse do ishte një shtetas i zakonshëm që do të kryente pikërisht këtë dinamikë ngjarjeje, pra nën efektin e alkoolit shkakton një aksident me pasojë dëme të disa automjeteve (pra pasurisë) dhe ikën nga vendi i ngjarjes dhe policia e ndalon më pas do t’i duhej të përballej me 3 akuzat e cituara sipas kodit penal.

Por ligji nuk është i barabartë për çdo qytetar të republikës sikurse është rasti i djalit të biznesmenit Samir Mane i cili mësohet se ka shkaktuar pikërisht një aksident ku atakohet nga të 3 nenet respektive të kodit penal dhe minimalisht, duhet të ishte në paraburgim në pritje të vlerësimit të një mase sigurie nga gjykata, por në fakt është i lirë. Dhe paradoksi është edhe më fatalist se polici që zbatoi ligjin dhe e ndaloi shkelësin, nga presioni psikologjik ka tentuar Vetëvrasjen  duke u hedhur nga lartësia e një pallati.

Edhe për shkaqet e vetëvrasjeve kodi penal parashikon hetim dhe ndëshkim nëse ajo vjen nga rrethana dhe e individë që çojnë personin në aktin sublim të vetëvrasjes. Dhe e gjitha lidhet vetëm me një fakt se polici në detyrë zbatoi ligjin dhe ndaloi djalin e një bosi pasanik në shkelje të tij. Por ndërsa polici e ndalon prokurori e lëshon djalin e Samir Manes sepse e klasifikon ngjarjen jo si vepër penale, por si kundravajtje penale që lehtëson pozitat e shkaktarit të aksidentit.

Atëherë çfarë mesazhi kupon publiku nga kjo ngjarje?

E para dhe më kryesorja është se nuk jemi të barabartë para ligjit pasi ata që kanë fuqi financiare e mundin ligjin madje e shpërfillin deri në shpërbërje dhe tjetërsim.

Se dyti policia merr një mesazh të fortë dekurajimi që edhe kur zbaton ligjin “tradhëtohet” nga organet e tjera ligjore (në këtë rast prokuroria) që mesa duket kur je askushi të rras në burg, ndërsa kur je dikushi të çojnë në shtëpi se ka vend për tolerancë dhe mëshirë.

Shqipëria e dy standardeve është Shqipëria e padrejtësisë. Sigurisht këtu as diskutohet se ndikim i z Mane si biznesmen është i dukshëm dhe i kuptueshëm, por ai do bënte më mirë t’i jepte një leksion jete djalit të tij duke e lënë disa ditë në qeli për t’i dhënë të kuptojë se nesër mund të bëjë dëme edhe me të mëdha e krime me te mëdha se ky me bindjen se babi më shpëton ose se shteti më toleron. Pra moralisht dhe për vetë të riun do të ishte një leksion jete për t’u ndërgjegjësuar, dhe për vetë biznesmenin do ishte dinjitet se respekton ligjin edhe ai si të tjerët dhe kur bëhet fjalë për djalin e tij. Por edhe për vetë organet ligjzbatuese nuk do ishte akrobacia e radhës që në fakt është dhe turpi i dinjitetit të shtetit që mendohet se përfaqësojnë, duke bërë interpretime ligjore ku sikurse thotë një shprehje popullore “ca konsiderohen të nënën e ca te njerkës” kur vjen puna te përgjegjësia para ligjit.

Ndërkohë dy fjalë i takojnë edhe mediave që nuk lënë ngjarje pa raportuar gjithë ditën e ditës nga më banalet e mundshme e deri te ato ngjarje fatale. Në rastin e djalit të Samir Manes u shurdhuan dhe u verbuan e nuk e “mësuan” dot ngjarjen për ta raportuar, pasi në të kundërt iu pritet buxheti për lavatriçet, frigoriferat e fshesat që duhen reklamuar dhe që fshijnë, lajnë shplajnë apo ngrijnë të vërtetat edhe kur ato janë të dukshme e të pamohueshme. Heshti dhe opozita dhe mediat pranë saj, sigurisht e kuptueshme. Për mikun e doktor Berishës nuk mund të bëhet lajm, pra heshtën të gjithë. Ndaj njerëzit në këtë vend nuk kanë asnjë motiv të besojnë as të media e as te politika e as të drejtësia, sepse gjithçka është e menaxhuar nga klika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button