Monitor – Me çfarë morali, qeveria do t’u kërkojë individëve dhe bizneseve që të paguajnë taksat e tyre, kur vetë është shpërdoruesi më i madh i tyre. Me çfarë morali do t’u kërkohet vota, që në thelb ka administrimin e fondeve të taksapaguesve për të rritur mirëqenien e këtiyre të fundit, kur sot ka një transparencë e llogaridhënie të cunguar dhe një pjesë e madhe e fondeve po rezultojnë se janë vjedhur.
Buxheti i shtetit shpenzoi në vitin 2023 gjithsej 674 miliardë lekë, ose rreth 6.4 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit, rreth 60% e kësaj shume përdoret për pagat e administratës publike, interesat e borxhit, për subvencione, si dhe për të mbuluar skemën deficitare të pensioneve.
Pjesa e mbetur, ose rreth 267 miliardë lekë (2.5 miliardë euro) shkon për shpenzime operative mirëmbajtjeje (10.5% e totalit të shpenzimeve), buxheti lokal që përfshin të ardhurat e veta dhe transfertat buxhetore (10.2%), shpenzime kapitale (18%) dhe një pjesë më e vogël prej 2.4% e totalit shkoi për rindërtimin, proces i cili vazhdon ende, edhe pse kanë kaluar katër vjet nga tërmeti i nëntorit 2019.
E gjithë kjo shumë, që përbën 40% të totalit të buxhetit, shpenzohet nëpërmjet procedurave të tenderimit publik, që në thelb synojnë transparencë, t’i japin shanse të njëjta gjithsecilit që do të bëjë biznes me shtetin dhe më e rëndësishmja, që mundësojnë shërbimin më të mirë me vlerën më të ulët, duke maksimizuar eficiencën e përdorimit të fondeve publike.
Për këtë arsye, qeveria ka miratuar strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike, fillimisht për periudhën 2014-2020, e cila më pas është rishikuar disa herë.
Strategjia tenton që të garantojë besueshmërinë e buxhetit, të rrisë elemente të transparencës fiskale, të monitorojë shpenzimet dhe prokurimet. Teorikisht, kontrolli i shpenzimeve bëhet nëpërmjet auditimit të brendshëm dhe të jashtëm (Kontrolli i Lartë i Shtetit).
Me presionin e fortë dhe afatgjatë të institucioneve ndërkombëtare u vu theksi edhe te forcimi i procesit të përzgjedhjes dhe monitorimit të Partneriteteve Publike-Private (PPP-ve) që do të çojë në rritjen e përfitimeve nga këto projekte. Institucionet ndërkombëtare, nga ana e tyre, e kanë ndihmuar Shqipërinë që të forcojë transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave të veta.
Banka Botërore në vitin 2014 akordoi një kredi prej 87 milionë eurosh për zhvillimin e financave publike, prej së cilës deri më sot janë përdorur vetëm 13 milionë euro, ose rreth 15%, sipas të dhënave zyrtare.
Banka Botërore e ka vënë vazhdimisht theksin te përmirësimi i menaxhimit të projekteve të investimeve publike, duke përfshirë Partneritetin Publik-Privat dhe dhënien me koncesione. Edhe Reforma në Drejtësi kishte si synim, ndër të tjera, që të shtonte presionin për mirëmenaxhimin e financave publike, duke ulur abuzimet nga zyrtarët publikë.
Të gjitha këto masa nuk kanë arritur të garantojnë një përdorim me eficiencë të parave publike. Raporti i SPAK për vitin 2023, i dërguar në Kuvend, nxori në pah se korrupsioni në administratën publike është mjaft i përhapur në prokurime dhe koncesione PPP.
Skemat e publikuara nga SPAK tregonin se si shkelej barazia në tenderat publikë dhe më pas abuzimi vazhdonte jo vetëm duke krijuar skema fiktive midis funksionarëve të lartë publikë për fshehjen e akteve korruptive, por, mbi të gjitha, duke shërbyer edhe si një skemë pastrimi e produkteve të veprave penale.
Dokumentet falsifikohen, fituesi shpesh është i paracaktuar, fondet kalojnë në formë pagesash te shoqëritë tregtare, të cilat kanë lidhje me funksionarin e lartë publik dhe personat e tjerë të përfshirë.
Skema zgjerohet më tej, me këto fonde, që nga llogaritë e kompanive, më pas transferohen në llogari të tjera brenda dhe jashtë vendit, duke u investuar në pasuri të tundshme ose të patundshme.
Hetimet e tjera po të SPAK treguan se si disa koncesione kishin ndjekur praktika tërësisht abuzive, duke marrë para për shërbime që nuk i kanë kryer asnjëherë.
Si mund të ndodhë kjo në një shtet, që teorikisht i ka të ngritura të gjitha hallkat e kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm, dhe madje shpenzon jo pak fonde në procedura të tilla, që do të duhej të garantonin vlerën më të mirë për paratë e shpenzuara?!
Buxheti i shtetit mblodhi në vitin 2023 rreth 643 miliardë lekë (6.1 miliardë euro) nëpërmjet taksave nga bizneset e individët dhe diferencën që i duhej për të mbuluar shpenzimet e siguron nëpërmjet borxhit, që sërish paguhet në vite nga taksapaguesit.
Arritja e vlerës më të mirë të parave që vijnë nga fonde publike është edhe rruga më efektive e përmirësimit të shërbimeve bazë për qytetarët. Fatkeqësisht, kjo nuk po ndodh.
Me çfarë morali, qeveria do t’u kërkojë individëve dhe bizneseve që të paguajnë taksat e tyre, kur vetë është shpërdoruesi më i madh i tyre.
Me çfarë morali do t’u kërkohet vota, që në thelb ka administrimin e fondeve të taksapaguesve për të rritur mirëqenien e këtij të fundit, kur sot ka një transparencë e llogaridhënie të cunguar dhe një pjesë e madhe e fondeve po rezultojnë se janë shpërdoruar.
Konsolidimi i politikave dhe institucioneve për mirëmenaxhimin e financave publike është element kyç për të siguruar zhvillimin e ekonomisë, rritjen e mirëqenies së qytetarëve për të promovuar barazinë në treg, duke u dhënë të gjithëve mundësi të njëjta. Por, në fakt, po ndodh e kundërta.
Me fiktivitetin, keqmenaxhimin dhe abuzimin e vet intensiv dhe këmbëngulës, duket sikur qeveria ka objektiv dhe më afatgjatë: të përçudnojë përfundimisht sjelljen e shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare dhe të rrënjosë bindjen se të keqes nuk ke çfarë t’i bësh, prandaj më mirë të dorëzohesh para saj.
Në kushtet aktuale, kur pjesa e opozitës në politikë është e dobësuar dhe e ngërthyer jo pak me këtë keqadministrim, duket se rezistenca dhe mosdorëzimi do të ndërtohet vetëm nëse individualisht nuk do të dorëzohemi, por do të refuzojmë aty ku mundemi dhe aq sa mundemi të keqen, që duket se nuk po ka fund.