Atalanta dorëzohet përpara Dumfries: dygolësh spektakolar e Inter në finale
Inter është finalisti i parë i Superkupës Italiane 2024. Në gjysmëfinalen e parë të EA SPORTS FC Supercup, skuadra e teknikut Inzaghi mposhti Atalantën me rezultatin 2-0 (dygolësh i Dumfries) dhe siguroi një vend në finalen e madhe të turneut, që do të zhvillohet më 6 janar kundër fituesit të ndeshjes Juventus-Milan.
Në Al-Awwal Park të Riadit, në pjesën e parë, Kampionët e Italisë dominuan lojën dhe krijuan shumë raste, por u ndalën nga një Carnesecchi fantastik dhe rrezikuan nga një goditje me kokë nga afër e Scalvinit. Në pjesën e dytë, Denzel Dumfries shkëlqeu: fillimisht zhbllokoi ndeshjen me një roveshatë dhe më pas dyfishoi rezultatin me një goditje të fuqishme nga distanca, që përfundoi nën traun e portës. Në fund, një gol i Edersonit u anulua për pozicion jashtë loje të De Ketelaere dhe Sommer realizoi pritje vendimtare ndaj Djimsitit dhe Lookmanit.
Denzel Dumfries shënoi dy gola dhe e çoi Interin në finalen e Superkupës Italiane, duke treguar në Arabinë Saudite se Atalanta është e fortë, por “zikaltrit” më të fortë banojnë në Milano. Për golin e parë, Dumfries realizoi një roveshatë fantastike brenda zonës, ndërsa për të dytin goditi fuqishëm nga distanca, me topin që preku traun e portës dhe përfundoi në rrjetë.
Para 16 mijë spektatorëve, jo shumë, Inter-Atalanta përfundoi 2-0, duke përmbledhur gjithçka që përfaqëson Interi në 90 minuta. Inzaghi administroi lojën, përdori me kujdes ndërrimet e tij të planifikuara dhe goditi në mënyrën e tij karakteristike. Goli i parë erdhi nga një goditje nga këndi, ndërsa i dyti nga një kundërsulm. Po ashtu, Lautaro krijoi raste me lojën e tij me shpinë nga porta, Barella ishte vendimtar, dhe anësorët ishin shumë të rrezikshëm. Një sërë rastesh, me vetëm një kritikë: Lautaro, ende i “mallkuar”, vazhdon të humbasë raste njëri pas tjetrit. Impresionuese.