BE rrëzon sloganet e Ramës, integrimi nuk varet nga fitorja e PS

Në një reagim për Lapsi.al, Bashkimi Europian thotë se integrimi në është një proces i bazuar në reforma jo në fitoren e një partie
Nga Dorian Kodra
Në turin elektoral nga Vlora, Gjirokastra Lezha, Shkodra dhe më tej në qytetet e tjera, kryeministri Edi Rama ka vendosur integrimin europian në qendër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit, duke e paraqitur votën për Partinë Socialiste si një “mesazh të fortë” që, sipas tij, do të përshpejtojë negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian
Rama u tund shqiptarëve mirazhin e “pasaportës europiane” duke e përshkruar me detaje dokumentin që do t’u sjellë përfitime në ekonomi, në trajtimin shëndetësor, në studimet për më të rinjtë, apo në sportelet e aeroporteve.
Por në retorikën e kryeministrit, integrimi në Bashkimin Europian lidhet ngushtë me votën e 11 majit.
“Nëse në 11 maj Shqipëria i jep Europës mesazhin popullor që ne e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë deri në 2027, kjo është një gjë. Por nëse Shqipëria jep një mesazh që populli merret me mustaqet e Kujtim Gjuzit, atëherë ne jemi më të dobët atje,” – tha Rama në Vlorë, duke i ftuar qytetarët të votojnë Partinë Socialiste për të mos “mbyllur derën e BE-së”. (fjalimi i plotë i Edi Ramës në Vlorë)
Në Lezhë, ai vazhdoi në të njëjtën linjë duke sugjeruar se një fitore përtej shumicës normale për PS është vendimtare për suksesin e negociatave dhe për një antarësim më të shpejtë në BE.
Ndërsa në Shkodër, kryeministri shkoi akoma më tej, kur iu referua direkt zyrtarëve të Brukselit, që sipas tij i ndjekin zhvillimet në Shqipëri dhe presin ta lexojnë fitoren e Partisë Socialiste, ose si një rezultat “kuptimplotë” pro Bashkimit Europian ose jo.
“Rezultati mund të jetë aritmetikisht ok për ne, por mund të mos jetë mjaftueshëm një rezultat kuptimplotë për ata që janë në anën tjetër, për ata që janë në Bruksel, për ata që janë anëtarë aktualë të BE” u tha Rama të rinjve në Shkodër.
“E ndjekin ata gjithë ça ndodh, aq më tepër një vend që ata po mendojnë ta marrin brenda. Dhe në rast se shqiptarët me atë votë thonë: “Jemi më shumë se shumica normale që ka forca që qeveris se duam Shqipërinë në BE”, atëherë kjo na jep ne shumë forcë në negociata dhe na jep ne shumë shpejtësi në antarësim” shtoi ai. (fjalimi i plotë i Edi Ramës në Shkodër)
Por kur retorika elektorale e Ramës vihet përballë qëndrimit zyrtar të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, realiteti del ndryshe.
Lapsi.al u interesua pranë Delegacionit të BE në Tiranë dhe mori si përgjigje një fakt sa të thjeshtë aq edhe në kontrast me retorikën e Ramës në fushatën për 11 Majin; se integrimi nuk varet nga rezultati i zgjedhjeve apo nga fitorja e ndonjë force të caktuar politike, por është një proces gjithëpërfshirës dhe meritokratik.
E pyetur nëse do të ndikojë rezultati i 11 Majit në perceptimin e zyrtarëve të Bashkimit Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë, zyra e delegacionit u përgjigj se:
“Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, BE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, duke punuar krah për krah me institucionet shqiptare dhe të gjitha segmentet e shoqërisë,” – thuhet në përgjigjen e delegacionit të BE për Lapsi.al.
BE përsërit qartësisht se anëtarësimi është një proces i bazuar në merita, ku vlerësohet progresi konkret në përmbushjen e kritereve – jo propaganda elektorale, as retorika e tribunave dhe as rezultatet aritmetike të kutive të votimit.
E pyetur nëse do të përshpejtohet integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian nëse Partia Socialiste fiton një mandat të katërt qeverisës, zyra e delegacionit u përgjigj se:
“Anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita dhe çdo kandidat vlerësohet në bazë të progresit të tij drejt përmbushjes së të gjitha kritereve,” – thekson BE, duke përmendur konkretisht prioritetet: shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe reformat institucionale.
Deklaratat janë në kundërshtim frontal me përpjekjen e Ramës për ta shitur një votë lokale për PS si një pasaportë drejt Brukselit.
Retorika e Ramës përpiqet të konvertojë integrimin europian në kapital elektoral të Partisë Socialiste, ndërsa BE thotë të kundërtën: se ky është një proces kombëtar, që kërkon angazhim institucional, konsensus politik dhe reforma të thella.
E pyetur nëse Bashkimi Europian do ta lexojë fitoren “përtej shumicës normale nga Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit” si një mesazh të fortë nga shqiptarët pro integrimit në Bashkimin Europian, zyra e delegacionit u përgjigj se:
“Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE është një objektiv strategjik kombëtar, i cili mbështetet fuqishëm nga shumica dërrmuese e qytetarëve në Shqipëri dhe gëzon mbështetje të plotë ndërpartiake” ishte përgjigjia për Lapsi.al
Në thelb, ajo që Rama paraqet si një votë pro Bashkimit Europian, delegacioni i BE-së e përkufizon si një proces që i takon gjithë shoqërisë shqiptare, pavarësisht kush është në pushtet.
“Në fund të vitit 2024, Shqipëria hapi dy grup-kapitujt e parë (themeloret dhe marrëdhëniet e jashtme) brenda një harku kohor të shkurtër dhe presim që dinamika në negociatat e anëtarësimit të vazhdojë” thuhet në përgjigjen e delegacionit për Lapsi.al
Nëse një gjë është e qartë nga ky kontrast, është fakti se Bashkimi Europian i refuzon sloganet e fushatës së Partisë Socialiste, që tenton të fusë në xhep një proces aq të gjerë sa integrimi i vendit në BE. Ndryshe nga retorika e Partisë Socialiste, Europën në Shqipëri do ta sjellin standartet në zgjedhje, shteti i së drejtës, liria e medias apo lufta kundër korrupsionit, dhe jo fjalime që lidhin fatin e kombit me fitoren e një partie./