AKTUALITET

Del LETRA/ Demokratët kërkojnë hetimin e Jared Kushner: Ç’ju lidh me Edi Ramën dhe Artur Shehun

Demokratët e Komitetit të Gjyqësorit në Dhomën e Përfaqësuesve po zgjerojnë hetimin e tyre ndaj Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Donald Trump. Në fokus është projekti luksoz që ai dëshiron të ndërtojë në bregdetin e Shqipërisë, një projekt që ka shkaktuar javë të tëra protestash dhe akuzash se toka është marrë përmes akteve të falsifikuara të pronësisë.

Përfaqësuesi Jamie Raskin i Merilendit, demokrati më i lartë në Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ka pikëpyetje të reja në lidhje me “praktikat e dyshimta të marrjes së pasurive të paluajtshme” të Kushnerit ndaj ai ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha të dhënat që lidhen me “miratimin ose shqyrtimin” e projekteve të tij në Shqipëri, duke përfshirë çdo komunikim mes qeverisë së SHBA-së dhe asaj të Shqipërisë.

Del LETRA/ Demokratët kërkojnë hetimin e Jared Kushner:

Kongresmeni Jamie Raskin

Në një letër të bërë publike drejtuar Kushner, Raskin thotë se demokratët duan të saktësojnë nëse “sjellja e Kushnerit duhet të hetohet sipas Aktit të Praktikave të Korrupsionit të Huaj”. Sipas ligjit amerikan është “e paligjshme që një person ose kompani amerikane të ofrojë, paguajë ose premtojë të paguajë para ose ndonjë gjë me vlerë për ndonjë zyrtar të huaj me qëllim marrjen ose mbajtjen e biznesit”.

Letra kërkon të zgjerojë një hetim që Raskin hapi në muajin prill mbi atë që demokratët e quajtën “konflikt të hapur interesi” të Kushnerit. Kjo pasi, ai ishte duke shërbyer njëkohësisht si i dërguar paqeje i Shtëpisë së Bardhë dhe njëkohësisht drejtonte një firme private kapitalesh të mbështetur pjesërisht nga fondet sovrane të Gjirit Persik. 

“Teksa veproni si kryenegociatori i kombit tonë për t’u dhënë fund disa konflikteve ndërkombëtare të krijuara ose të përkeqësuara nga administrata e vjehrrit tuaj, ju keni ndarë kohë për të filluar vetë një tjetër incident ndërkombëtar të lidhur me mashtrimin”, – shkruan Raskin në letër duke iu referuar përpjekjeve të Kushnerit në Shqipëri.

Përfaqësuesit e Kushnerit në firmën e tij të investimeve nuk kanë bërë ende ndonjë koment për letrën.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, e quajti kërkesën e Raskin pjesë të “të njëjtës narrativë të lodhur që demokratët kanë shtyrë kundër Presidentit Trump, familjes së tij dhe administratës së tij për një dekadë”.

“Aktivitetet personale të biznesit të Jared Kushner nuk kanë të bëjnë fare me angazhimet e tij diplomatike, të cilat ai i kryen në bazë vullnetare me kërkesë të Presidentit”, – vazhdoi Kelly, duke lavdëruar atë që ajo e përshkroi si “rekord të suksesit” të Kushner në Marrëveshjet e Abrahamit dhe nisma të tjera.

Kushner njoftoi planet për të ndërtuar një resort luksoz në vijën bregdetare të Shqipërisë në vitin 2024, si pjesë e një investimi nga firma e tij Affinity Partners. Por projekti ka shkaktuar protesta muajt e fundit, përfshirë edhe kryeqytetin e Shqipërisë. Ato u nxitën nga zemërimi për dhunën e rojeve të sigurisë në vendin e ndërtimit të projektit dhe shqetësimet rreth efektit të mundshëm në jetën e egër, duke përfshirë flamingot, fokat dhe breshkat e detit.

Projekti ka shkaktuar më shumë polemika në korrik, kur dolën raportime se një biznesmen, i kërkuar në Shqipëri për pastrim parash dhe rolin e tij të dyshuar në një operacion ndërkombëtar të trafikut së drogës, kishte falsifikuar aktin e pronësisë së tokës për resortin turistik. 

Bëhet fjalë për biznesmenin Artur Shehu që ka mohuar çdo shkelje. “Wall Street Journal” raportoi se fshatarët shqiptarë u përpoqën ta paralajmëronin Kushnerin se toka ishte e vjedhur.

Një zëdhënës i grupit të zhvillimit të mbështetur nga Kushner i tha Journal se sistemi ligjor shqiptar është “vendi i duhur për zgjidhjen e çështjeve në lidhje me pronësinë e tokës”, por ata këmbëngulën se “blerjet e tokës u kryen në mënyrë të ligjshme”. 

Në letrën e tij drejtuar Kushnerit, Raskin shkruan se i gjithë “episodi pasqyron si mendjelehtësinë tuaj thelbësore si një përfaqësues i dikurshëm i Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe oreksin mbizotërues dhe në dukje të pangopur të familjes Trump-Kushner për korrupsion politik dhe financiar.” 

“Qeveria e kryeministrit shqiptar Edi Rama, e cila prej kohësh ka kërkuar të ketë ndikim në politikën amerikane, ju dha miratimin, por Kryeministri nuk mundi të fitonte miratimin e elektoratit të tij për projektin tuaj të ëndrrave” – shkruan ai. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button