“Duam rrugë”/ 120 familje në Daullas: Taksat paguhen – investimet mungojnë

Fier – Rreth 120 familje që jetojnë në rrugicat e fshatit Daullas, pranë by passit. Mbrostar Levan përballen prej vitesh me probleme serioze infrastrukturore dhe sociale.
Banorët ngrenë zërin për mungesën e investimeve, ndonëse janë taksapagues të rregullt të Bashkia Fier.
Sipas tyre, rrugicat e brendshme të lagjeve janë totalisht të pashtruara dhe në gjendje të degraduar. Sa herë që ka reshje shiu, ato kthehen në baltë dhe bëhen të pakalueshme jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët. Banorët theksojnë se makinat pësojnë defekte të vazhdueshme për shkak të gropave dhe terrenit të amortizuar, duke shtuar kostot për familjet që tashmë përballen me vështirësi ekonomike.





“Pagojmë rregullisht taksat për pastrim, gjelbërim dhe ndriçim, por investime nuk shohim askund,” shprehen banorët, të cilët ndihen të lënë në harresë nga pushteti vendor.
Ata thonë se shqetësimet i kanë adresuar disa herë, jo vetëm pranë bashkisë, por edhe tek ish-njësia administrative, madje edhe tek kandidatët për deputetë dhe për kryetar bashkie gjatë fushatave elektorale. Sipas tyre, kanë marrë vetëm premtime në letër, por asnjë zgjidhje konkrete në terren.




Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për shtrimin dhe sistemimin e rrugicave, duke theksuar se infrastruktura bazë është një e drejtë minimale për çdo komunitet. Ata paralajmërojnë se nëse situata vazhdon të injorohet, do të përshkallëzojnë reagimin e tyre përmes formave të tjera demokratike të protestës.









