
Një ish-ministër francez i kulturës, popullor në vitet 1980 dhe 1990, një diplomat norvegjez që kishte luajtur një rol qendror në bisedimet sekrete për “Marrëveshjet e Oslos” midis Izraelit dhe palestinezëve dhe një ish-ministër sllovak me lidhje të mira që kishte shërbyer si president i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Lidhja mes këtyre 3 zyrtarëve të njohur është marrëdhënia me Jeffrey Epstein, abuzuesin seksual dhe trafikant i fëmijëve. Dhe me sa duket nuk janë të vetmit.
Epstein, siç zbulohet në gati 3 milionë faqe dokumentesh të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara, kishte një rrjet të gjerë shoqëror individësh që i përkisnin elitës globale financiare dhe politike. Në këtë kontekst, zbulimet e emrave të njohur që në një farë mënyre ishin të lidhur me të, kanë shkaktuar trazira politike dhe një “tsunami” dorëheqjesh në shumë vende.
Jack Lang, i cili dikur shërbeu si ministër i kulturës së Francës, njoftoi të shtunën se do të jepte dorëheqjen si kreu i Institutit të Botës Arabe, një institucion i shquar kulturor në Paris, pasi autoritetet franceze thanë se po hetonin raportet se ai dhe familja e tij kishin lidhje financiare me Epstein.
Emri i Lang shfaqet më shumë se 600 herë në dokumente, me email-e që përmendin dreka, darka dhe marrëveshje biznesi që datojnë që nga viti 2012, kur Lang tha se ai dhe Epstein u njohën përmes një miku të përbashkët, regjisorit Woody Allen. Epstein ishte bashkëpronar i një fondi jashtë vendit me vajzën e Lang, Caroline, të cilin, sipas faqes franceze të internetit hetimore Mediapart, Epstein e kishte krijuar për të mbështetur artistë të rinj. Epstein gjithashtu i la Caroline, një producente filmash, 5 milionë dollarë në testamentin e tij.
“Është e qartë se ai kishte një sistem shumë të gjerë takimesh”, – tha Presidenti francez Emmanuel Macron. “Kjo gjithashtu ka nxitur shumë teori konspiracioni dhe gjithçka tjetër”, – shtoi ai.
Mona Juhl, një diplomate dhe ambasadore norvegjeze në Jordani dhe Irak, dha dorëheqjen pasi u zbuluan transaksionet financiare midis saj dhe bashkëshortit të saj dhe Epstein.
Pak vende janë prekur aq thellë nga zbulimet sa Norvegjia. Ish-kryeministri Thorbjørn Jagland, Princesha Mette-Marit dhe Borges Brende, një ish-ministër i jashtëm i cili tani kryeson Forumin Ekonomik Botëror janë nën hetim për lidhjet e tyre me Epstein. Parlamenti i Norvegjisë ngriti të martën një komision të pavarur për të hetuar këto lidhje.
“Nuk ka mëshirë për korrupsionin në Norvegji dhe norvegjezët në pozicione të larta, si politikanë dhe ambasadorë, nuk bëjnë përjashtim”, – tha diplomati Kar Aaas.
Zbulimet kanë zënë gjithashtu vend qendror në politikën izraelite, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që pretendon se lidhjet shumë të ngushta të Epstein me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak, siç tregohet në dokumente, nuk do të thonë se Epstein ka punuar për Izraelin.
“Marrëdhënia jashtëzakonisht e ngushtë e Jeffrey Epstein me Ehud Barakun nuk sugjeron që Epstein ka punuar për Izraelin. Ajo vërteton të kundërtën”, – shkroi Netanyahu në mediat sociale më 6 shkurt. “I varur pas humbjes së tij zgjedhore më shumë se dy dekada më parë, Barak është përpjekur vazhdimisht për vite me radhë të minojë demokracinë izraelite”, shtoi ai.
Në një fjalim në dhjetor, Barack konfirmoi se kishte marrë pjesë në dreka dhe darka në shtëpinë e Epstein në Manhattan, por tha se nuk ishte as dëshmitar dhe as pjesëmarrës në abuzime seksuale. “Tani, më vjen shumë keq që kam pasur ndonjë lidhje me të”, tha ai.
Miroslav Lajčák, këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit sllovak Robert Fico, dha dorëheqjen pasi u publikuan email-e midis tij dhe Epstein, në të cilat të dy burrat dukeshin duke bërë shaka për gratë e reja. Kryeministri Fico e quajti protestën kundër Lajčák një sulm ndaj tij, duke thënë se dorëheqja e këshilltarit të tij do ta privonte vendin nga “një burim i jashtëzakonshëm përvoje diplomatike”.
Në të njëjtën kohë, miqësia e ngushtë midis Epstein dhe Peter Mandelson, ish -ambasadorit britanik në Uashington, shkaktoi një stuhi të tillë saqë fillimisht madje kërcënoi të rrëzonte qeverinë Starmer në Britani.
Figura të tjera të shquara të përmendura në dosje janë kritikuar ashpër nga autoritetet dhe publiku javët e fundit, madje disa përballen me veprime ligjore. Shumë prej tyre kanë mohuar ose minimizuar lidhjet e tyre me Epstein.
Pas raportimeve në mediat sociale se Epstein ishte takuar me Dalai Lamën, një deklaratë e lëshuar të dielën nga udhëheqësi shpirtëror tibetian në mërgim tha se ai nuk e kishte takuar kurrë vetë Epsteinin, dhe as nuk kishte autorizuar askënd ta takonte.
Ministria e jashtme e Indisë hodhi poshtë gjithashtu një email nga Epstein në të cilin ai dukej se merrte përsipër vizitën historike të Kryeministrit Narendra Modi në Izrael në vitin 2017. Pretendimet e Epstein, thuhej në deklaratë, nuk ishin “asgjë më shumë sesa meditime të kota të një krimineli të dënuar, të cilat meritojnë të hidhen poshtë me përbuzje të plotë”. Megjithatë, opozita indiane e shfrytëzoi raportin për të sugjeruar se Modi është i prekshëm ndaj manipulimit nga të huajt











