Turqia nuk dëshiron të hyjë në luftë me Greqinë, por do të vazhdojë t’i përgjigjet shkeljeve të hapësirës ajrore turke, tha Recep Tayyip Erdogan, një ditë pas kthimit nga Samiti i NATO-s në Madrid.
Presidenti turk është pyetur për marrëdhëniet greko-turke dhe mundësinë e zbutjes së tensionit, pas deklaratave të Kyriakos Mitsotakis në favor të Turqisë për çështjen e terrorizmit. Siç tha ai, nuk po mendon për ndonjë takim me kryeministrin grek, ndonëse sipas Erdogan, shumë liderë bënë përpjekje për t’i “pajtuar” në Madrid.
“Ne nuk kemi dëshirë të hyjmë në luftë me Greqinë. Megjithatë, Greqia nuk i mban premtimet e saj, ky është problemi”, theksoi Erdogan.
Në të njëjtin kontekst ai akuzoi Greqinë për shkelje.
“Kanë bërë 147 shkelje ajrore në një kohë shumë të shkurtër. Pra, nëse jemi fqinjë, nëse jemi miq, nëse duam të jetojmë në paqe, pse po na shkelni hapësirën ajrore 147 herë? Sigurisht, kur bëni një gjë të tillë, shkeljet, atëherë cila është detyra jonë? Forca jonë ajrore do të ngrihet dhe do t’ju japë imazhin dhe perspektivën që ju nevojitet. Këtë e bën forca jonë ajrore”, tha ai.
“Nëse nuk e bëj, çfarë do të thonë qytetarët e mi? Ku janë forcat tona të armatosura? Prandaj forcat tona të armatosura po bëjnë pjesën e tyre dhe nëse vazhdojnë këto shkelje të hapësirës ajrore, ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që duhet. Këtu do të them se Mitsotakis na dha drejtësi, por shumë liderë, nuk e di kush e nisi, bënë përpjekje të mëdha për të na pajtuar. Ne thamë se nuk po mendojmë për këtë tani. Ne po shohim se çfarë do të sjellin kushtet në të ardhmen dhe ne do t’i vlerësojmë ato në përputhje me rrethanat”, tha ai.