POLITIKË

Ermal Hasimja bën bashkë PD dhe aleatët e saj, Lapaj nuk shkon

Këtë të enjte Forumi për Dialogun Politik me në krye politologun Ermal Hasimja, nuk arriti që të ulte bashkë në një tryezë atë të pjesë të opozitës që nuk bashkëpunon me PD-në dhe aleatët e saj. Takimi që kishte si qëllim daljen me një deklaratë të përbashkët për aksionin politik opozitar dhe reformën zgjedhore, mblodhi përfaqësuesit e PD, një pjesë të aleatëve të saj, por askush nuk u paraqit nga partitë e Adriatik Lapajt, Agron Shehajt dhe Arlind Qorit.

Nëse për Shehaj dhe Qorin shpresat ishin shuar për t’u ulur në këtë tryezë opozitarësh, Hasimja pohon se me Lapajn po vijojnë negociatat. Ermal Hasimja, Forumi për Dialogun Politik: “Kemi diskutuar vazhdimisht, i takojmë dhe nuk shohim ndonjë arsye që Shqipëria Bëhet të mos pjesë pjesë e kësaj tryeze”. Nga kjo tryezë u qartësua se në 20 Shkurt, Partia Demokratike nuk do jetë vetëm në shesh, por edhe se do kenë qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor dhe do të mbështesin drejtësinë.

“Përmes kësaj tryeze ramë dakord për të qenë kundër çdo ndryshimi ligjor që kërkon të godasë drejtësinë dhe ta paaftësojë atë. Ramë dakord edhe për një drejtësi kushtetuese. Kemi gjithashtu edhe një qëndrim të unifikuar për Kodin Zgjedhor. Një pikë tjetër e rëndësishme është çështja e kërkesës për një qeveri tranzitore që të përgatisë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”,-tha Hasimja. PD u përfaqësua në tryezë me nënkryetarin Luçiano Boçin, pasi kishte pranuar kërkesën e mëparshme të Lapajt që të shmangeshin liderët e këtyre forcave.

Pas takimit Ermal Hasimja shkruan në profilin e tij në facebook:

Sot, Forumi i Dialogut Politik zhvilloi takimin e parë të tryezës së partive opozitare. Partitë e pranishme ranë dakord për:

1. Kundërshtimin e synimit të Partisë Socialiste për të ndryshuar ligjet që do të pamundësonin goditjen e drejtësisë ndaj qeverisë së tij.

2. Mbështetjen e një drejtësie kushtetuese që godet korrupsionin dhe krimin e organizuar, në respekt të të drejtave të njeriut dhe standardeve më të mira perëndimore.

3. Paraqitjen e një propozimi të unifikuar për kodin e ri zgjedhor në Komisionin përkatës parlamentar me qëllimin e një përfaqësimi sa më të drejtë të shqiptarëve.

4. Kërkesën e përbashkët për një qeveri kujdestare ose tranzitore e cila do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme duke parandaluar të gjithë shkeljet e konstatuara edhe nga OSBE-ODIHR-i.

5. Angazhimin e përbashkët për protesta të vazhdueshme e gjithëpërfshirëse deri në realizimin e këtyre kërkesave.

Partitë pjesëmarrëse:

Partia Demokratike

Partia Republikane

Partia e Legalitetit

Partia e Lirisë

Partia Agrare Ambjentaliste

Partia Fryma e Re Demokratike

Partia Bashkimi Liberal Demokrat

PBDNJ

Partia Balli Kombëtar

LZHK

Si dhe Lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

Në ditët në vijim Forumi do të zhvillojë një tryezë tjetër me shoqërinë civile për të diskutuar një platformë të përgjithshme për një qeverisje më të mirë.

Diskutimet me partitë politike do të vijojnë me përkufizimin e termave konkretë që do të dalin nga parimet bazë të miratuara në takimin e parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button