KULTURËTOP-NEWS

Fejton/ Konkursomania dhe “grykomania”

Nga: Thoma Goga Konkursomania

Ja dhe konkursi i “gallatës”. Këto ditë u zhvillua në Korçë ai i Letërsisë satiro-humoristike organizuar nga një kompani me presidente F. Nikolla.
Interesimi ishte i lartë, megjithëse nën trysnin e kërkesave të organizatores. Erdhën autorë të letërsisë satiro-humoristike nga të gjitha trevat shqipfolëse. Por era e keqe e mashtrimit po ndihej që në fillim.

Ndryshimi disa herë i kritereve dhe strukturës së çmimeve, më bindi se ishte paracaktuar fituesi. Për këtë flasin faktet. Më 15 prill 2025, kur u çel ky konkurs, u shpërnda një komunikatë. Aty thuhej se do të kishte nga një çmim të parë për prozën, poezinë, fabulat (meqënëse ato shkruhen në prozë edhe në poezi). Po atë ditë u prezantua edhe një juri.

Duke kaluar ditët e javët ndryshuan edhe anëtarët e jurisë, edhe struktura e çmimeve. Në një prononcim të kryetarit të jurisë F. Toçi, vetëm dy javë para natës finale, i cili nëpërmjet një video zbuloi strukturë tjetër.

Ky prononcim gjendet në instagram (në llogarinë e F.Nikolla). Duke ikur e duke “situr” pjesëmarrësit. Aq sa në natën finale kryetari tha se “do të kishte vetëm një çmim kryesor”. Mirë që nuk tha, se fituesi duhet të jetë me mustaqe, pasi këtë “kriter” vetëm karikaturisti e plotësonte.
Kjo lojë e qelbur më kujton një ngjarje të viteve të shkuara. Një kryetar kooperative kërkonte nga brigadieri i blegtorisë një dash për ta çuar në ekspozitë për konkurim. Po dashi të ishte laraman. E meqë në tufë ishte vetëm një dash i tillë, kurorën e meritoi ai dash…

Kështu ndodhi edhe në këtë konkurim, ku fitues i paramenduar doli një karikaturist, i njohur si lekist dhe pazarxhi. E them këtë se akoma pa marrë diplomën, kujtoi “zarfin, zarfin”…Ishte po ky person, i cili e ka fituar një çmim në bienalen e karikarurës që u zhvillua vitin e kaluar. Deri këtu s’ka asgjë të keqe. Mbase F. Nikolla i ka shumë borxhe këtij autori, po jo ta shpërblejë me forma të tilla abuzive. Po ta financonte nga llogaria personale e ta kishte tërësisht privat konkursin, mund t’i jepë mikut të saj çfarë të dojë.

Po e dini ku fle lepuri? Mos harroni se nën emrin e këtij konkursi xhvaten shumë fonde shtetërore nga bashkitë e zonës në qarkun e Korçës apo dhe nga ministria. Favorizimi i paramenduar i personave të caktuar dhe sjellja si pronare e këtyre fondeve, është mashtrim dhe korrupsion për qëllime përfitimi. Është njëlloj si çështja “Balluku” që nxirrte fitues atë që donte ajo. Kështu ka vepruar edhe kjo “Balluke” bjonde. Dhe s’është hera e parë që ndodh kështu.

Veprime abuzive u përdorën edhe në vitin 2023, në konkursin e dytë, ku çmimin e parë e fitoi një mik i baba Nikos, që nuk u paraqit fare në konkursin – tender. Po të ishte baba Niko i “HOSTENIT” gjallë, këto marifete do i vinte në faqen e parë.
Më vjen keq edhe për kryetarin e jurisë, zotin F. Toçi, që shiti personalitetin e tij dhe bëhet palë me një mashtruese, duke u bërë pis nga balta e saj.

Mashtruesja F. Nikolla me dhelpëri shfrytëzoi edhe autoritetin e tij si ish-deputet. Mirë asaj aq ja pret, po ty ku të çon mushka? Nuk është turp që mashtruat 30 përsona me dinjitet, të cilët erdhën nga ana e anës?

Në fund një apel për bashkitë që janë përzjerë në këto mesele, nën petkun e patriotizmit lokal. Ju hiqni nga goja e taksapaguesve tuaj për të ushqyer një mashtruese ordinere.

Kjo ka vite që penetron nën emrin e një konkursi me emrin e babait të saj. Mos t’u vijë keq kur të shkoni në dyert e SPAK-ut. Se organet ligjzbatuese për këtë janë, vetëm shteti të zgjohet nga gjumi e të mos bëjë sehir.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button