AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Fermerët e lajthive në Fier e Mallakastër: Prodhimi i mbarë, çmimi shumë i ulët. (Foto e video)

Prodhim i bollshëm, por tregu në krizë: Lajthitë mbeten stok, fermerët e Fierit dhe Mallakastrës kërkojnë zgjidhje

Fermerët e Fierit dhe Mallakastrës po përballen me një paradoks të fortë bujqësor: prodhim të mbarë, por mungesë të tregut. Pavarësisht se këtë vit pemët e lajthisë kanë dhënë rendiment të kënaqshëm, kultivuesit thonë se një pjesë e konsiderueshme e prodhimit po mbetet stok, ndërsa çmimi ka pësuar rënie të ndjeshme.

Në fshatrat e zonës së Fierit dhe Mallakastrës, fermerët kanë nisur vjeljen e lajthisë, por problemi kryesor nuk është më prodhimi, por shitja e tij. Sipas kultivuesve, vitin e kaluar një kilogram lajthi tregtohej rreth 500 lekë, ndërsa këtë vit çmimi ka zbritur në rreth 350 lekë për kilogram.

Fermerët shprehen se gjetja e blerësve është kthyer në një sfidë të përditshme. Shitjet kryesisht realizohen përmes kontakteve dhe njohjeve private, ndërsa mungon një strukturë e organizuar grumbullimi që do të mundësonte sistemimin dhe tregtimin e prodhimit në sasi të mëdha.

Kultivuesit kërkojnë ngritjen e një pike grumbullimi në zonë, e cila sipas tyre do të ishte një zgjidhje konkrete për të shmangur mbetjen e prodhimit stok dhe për të krijuar një treg më të qëndrueshëm për fermerët.

Por problemet nuk përfundojnë te tregu. Një tjetër vështirësi e madhe është mungesa e fuqisë punëtore. Vjelja e lajthisë kërkon shumë krahë pune dhe, për shkak të numrit të kufizuar të punëtorëve, fermerët detyrohen të paguajnë tarifa të larta. Kjo rrit ndjeshëm kostot e prodhimit dhe, e kombinuar me rënien e çmimit të shitjes, ngushton edhe më shumë fitimin e tyre.

Sipërfaqet e mbjella me lajthi janë zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, si në fushën e Myzeqesë, ashtu edhe në zonat kodrinore të Mallakastrës. Klima dhe karakteristikat e tokës janë të favorshme për këtë kulturë, duke bërë që gjithnjë e më shumë fermerë të investojnë në pemëtari.

Megjithatë, fermerët paralajmërojnë se pa treg të sigurt, vaditje dhe mbështetje për prodhimin, zgjerimi i sipërfaqeve mund të kthehet në një problem të madh ekonomik. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve për krijimin e infrastrukturës së nevojshme, mbështetjen për vaditjen dhe, mbi të gjitha, lidhjen e prodhimit vendas me tregjet e shitjes.

Sipas të dhënave zyrtare nga Drejtoria e Bujqësisë, në qarkun e Fierit numërohen rreth 39,700 rrënjë lajthi, me një prodhim vjetor prej rreth 125 tonësh. Ndërsa në bashkinë e Mallakastrës janë të regjistruara rreth 68,000 rrënjë, me një prodhim që arrin në rreth 120 tonë në vit.

Shifrat tregojnë potencialin që ka kjo kulturë në zonë, por për fermerët sfida tashmë është e qartë: të prodhosh nuk mjafton, nëse nuk ke ku ta shesësh. Ata kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë përpara se mungesa e tregut dhe kostot e larta t’i detyrojnë të heqin dorë nga një prej kulturave që vitet e fundit ka fituar gjithnjë e më shumë terren në Fier dhe Mallakastër. ALB365

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button