Grupimi i hakerave i ashtuquajtur “Homeland Justice” ose “Drejtësia e Atdheut”, që pak ditë më parë publikoi materiale të hakeruara nga e-mail i kryeministrit Edi Rama ka nisur të publikojë të dhëna të vjedhura nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.
Në faqen e saj të internetit hakerat njoftojnë se Ministria e Punëve të Jashtme “ishte zgjedhja e qytetarëve” në sondazhin që ata kryen për publikimet e radhës.
Ata kanë ngarkuar 578 dokumente nga ambasadat e Shqipërisë në Athinë, Shkup dhe Moskë. Grupi i hakerave në fjalë është duke publikuar edhe materiale që janë fshirë nga inbox-i i ambasadave.
Në këto dokumente gjithashtu janë edhe e-mailet që emigrantët shqiptarë u kanë nisur ambasadave tona të akredituara në shtete e huaja, ku shumica janë kërkesë për pajisje me karta identiteti si dhe për prokura. ©LAPSI.al