Haradinaj jep dorëheqjen nga drejtimi i AAK-së/ A synon Presidencën?

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Lajmin e bëri të ditur gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë, ku konfirmoi gjithashtu se nuk do të kandidojë për kryetar në zgjedhjet e brendshme që pritet të nisin më 20 shkurt.
Deri më tani, kandidatura e vetme e shpallur për drejtimin e AAK-së është ajo e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes, Haradinaj tha se vendimi i tij lidhet me disa arsye, përfshirë kohëzgjatjen në krye të partisë dhe rezultatin në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Procesi zgjedhor fillon nga 20 shkurti. Është risi ose ndryshim sepse nuk do të kandidoj për kryetar të Aleancës në këto zgjedhje të brendshme. Një arsye është koha e gjatë, arsyeja e dytë është rezultati zgjedhor. Po ashtu është edhe besimi që kam në kuadrin e Aleancës”, – u shpreh ai.
Haradinaj, u pyet nga gazetarët nëse do të jetë kandidat për president të vendit, por ai e mohoi këtë.
“Nuk jam kandidat për president të vendit. Nëse në një rrethanë të caktuar, parlamenti dhe deputetët do të ma kërkonin, do ta kisha shqyrtuar, por nuk jam kandidat. Presidenca është institucion i rëndësishëm i vendit. Ne do t’i vazhdojmë konsultat e brendshme në Aleancë për me marrë një qëndrim si do të veprojmë”, – tha Haradinaj para mediave.









