Dalin detaje të reja nga operacioni i SPAK që çoi në pranga 11 persona mes të cilëve edhe ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djalin e tij, Eralbi Breçanin. Lapsi.al mëson se mes të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit.
Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit.
Një tjetër polic i arrestuar është edhe Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6. Sipas asaj që raportohet ka edhe efektivë të tjerë të arrestuar në këtë operacion.
Të njëjtat burime thanë se arrestimet kanë ardhur pas zbërthimit të aplikacionit “Sky ECC” të njohur si operacioni “Metamorfoza”. Ndaj tyre rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.
Një masë arresti është lëshuar edhe për Ervin Matën, një emër i njohur për drejtësinë. Mata u përfshi në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në 2018-ën me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha një nga shoqëruesit e këtij të fundit. Ai u qëllua nga ish-komandoja Merviol Bilo. Mata është prej vitesh në kërkim nga policia.
Raportohet se Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje krushqie me njëri-tjetrin pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës.
Operacioni “Metamorfoza” i SPAK ka zbardhur një sërë ngjarjesh kriminale ku u vunë në pranga disa efektivë policisë, biznesmenë, si dhe drejtues të policisë së shtetit.