Tuesday, November 26, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËKLASA ME “GLASA”…

KLASA ME “GLASA”…

Fejton nga Thoma Goga

Sot më mori në telefon që në pikë të sabahut miku im Selim.

  • Hë mo Selim, ça ka ndodhur?
  • Hiç, o hiç. Kalo nga shtëpia ime. Ta them këtu kur të vish.
    Ashtu bëra. I gjeta te ballkoni të katër; Selimin, plakën, nipin dhe macen. Sa u ula unë, u ngrit plaka e shkoi në kuzhinë. Kaluan pak sekonda e u kthye me një tabaka në dorë. Mbi të një pastë dhe një gotë raki.
  • Sot kemi gëzim ,- tha miku im Selim.- Nipi im mbush 5 vjeç. Të na urosh. Për këtë të thirra.
  • Ja gëzuar! Edhe 100 pranvera nipit.- Pastaj iu drejtova vogëlushit.- Ta gëzosh ditëlindjen! Të ngënçim dasmën!
  • O po dasmës i hamë mun’ ne. Thuaj ta shtyjmë sa të jetë shkruar, – ma ktheu Selimi.- Po na ka mbërthyer dhe një merak i madh, o Çome. Thonë se do shkojnë në shkollë kjo moshë. Di gjë ti, se je dhe i kalemit?
  • Diçka kam dëgjuar. Shteti ka bërë një studim, sipas të cilit edhe kjo moshë mund të fillojë shkollën.
  • A të dhjefsha studimet e këtyre. Kur nuk u dalin për hajër, i zbythin prapë. Më duket do na i marrin në qafë kalamaqtë.
  • Jo, jo se e kanë trurin të zhvilluar. Pastaj, do e ndihmoni dhe ju gjyshërit.
  • Ç’të bëj më shumë unë e shkreta,- u hodh plaka.- Me përralla e me këngë e kam ushqyer. Edhe në banjë do këngë. Që thua zotrote, e çova një ditë në banjë. Ai rri, unë rri. “Hë moj nëna, fillo”, më brriti. Sikur të mos kishte brritur, atje do rrija duke dremitur. E nejse, fillova unë; “Macja ime ka që mbrëmë…”. Më brriti më fortë: Jo këngën e çiçit, po këngën e kakës…”.
  • Edhe këngët i ka të ndarë; veç për njërën, veç për tjetrën, – plotësoi Selimi dhe ktheu gotën e rakisë. Jo, kështu nuk ja hedh dot. Mendjen e ka top…

  • Po qeshja mbyturazi. Pastaj iu drejtua nipit.
  • Pa na recito një vjershë. Ta dëgjojë xhaxhi Çomja.

  • Dhe nipi filloi:
    “Dhura një dhog të dhi,
    Kishte një fëndë të artë…,
    Kur unë e vidhatova,
    Më bëri edhe glathë…”
  • Asnjë fjalë s’kuptova,- i thashë Selimit.
  • Vjersha thotë kështu, -“përktheu” Selimi:
    “Zura një zog të zi,
    Kishte një pëndë të artë,
    Kur unë e vizatova,
    Ai më bëri glasë…”

  • Këtu qesha me gjithë shpirt, jo aq për vjershën se sa me naivitetin e vogëlushit dhe e putha në ballë.
  • Pa thuaj xhaxhit, çfarë hëngre sot në mëngjes?
  • Një vedhë të dhjerë.
  • Çdo mëngjes i bën nëna vezë të zjerë,- “përktheu” plaka këtë herë.
  • Dëgjo Çome,- sqaroi Selimi.- Ky nipi ynë më i mirë është në matematikë. Numrat i di përmendësh. Ja, t’i thotë vetë.
    Dhe nipi filloi:
  • Në, dy, tle…(këtu ngeci)
  • Katël,- e ndihmova unë.
  • Pethë, gjathtë, tatë,… tetë, nënë…(ngeci prapë)
  • Dhjetë,- thashë unë.
  • O lele kaka,- ulëriu nipi dhe ia mbathi në banjë me të katra…

  • Qeshëm të tre. Më duket qeshi dhe macja.
  • Hë re Çome,- m’u drejtua Selimi.- Ku është ai mut studim për këta kalamaqër? E shikon vetë; kjo moshë ta bënë “glasën” m’u në studim.
  • Jo miku im. Atë e kanë bërë specialistë të fushës.
  • Dëgjo mua, Çome. Më duket, do na mbushen klasat me “glasa”…,- tundi kokën miku im Selim.
    Dhe këtu mbaron ky rrëfim…
    (TH.G.)
POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME