AKTUALITETTOP-NEWS

Kontrolle blic të Policisë në Fier, masa të shtuara për parandalimin e ngjarjeve kriminale

Fier – Policia e Fierit ka intensifikuar kontrollet blic në të gjithë qarkun, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale.

Në fokus të strukturave të Policisë Kriminale janë kontrollet e automjeteve dhe verifikimi i individëve që paraqesin dyshime të arsyeshme, me qëllim identifikimin dhe goditjen e personave që mund të përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë.

Sipas burimeve policore, këto masa janë shtuar edhe për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve gjatë sezonit veror, me ardhjen e turistëve dhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Mes tyre mund të ketë edhe persona me precedentë apo background kriminal, të cilët mund të jenë objektiv i konflikteve të vjetra, hakmarrjeve, larjeve të hesapeve apo përplasjeve që lidhen me veprimtari kriminale.

Një rast i fundit që ka ngritur nivelin e gatishmërisë së Policisë është ai i regjistruar një ditë më parë në Sarandë, ku u arrestuan persona të armatosur, të cilët, sipas hetimeve paraprake, ishin pozicionuar në pritë dhe dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një atentat ndaj objektivit të tyre.

Strukturat e Policisë së Shtetit pritet të vijojnë kontrollet e shtuara në akset rrugore dhe zonat me lëvizje të mëdha, me synim garantimin e rendit dhe parandalimin e çdo ngjarjeje kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button