Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Policinë Rrugore dhe taskforcën e Transportit Rrugor (MIE) vijojnë aksionin e përbashkët për të evidentuar mjetet që qarkullojnë në kundërshtim me aktet ligjore, konkretisht mjetet debitore, pa paguar taksat, mjetet pa kontroll teknik dhe pa siguracion të vlefshëm!
Sipas DPSHTRR-së, Makina Inteligjente e ka skanuar 12,362 mjete nga të cilat janë zbuluar 1,632 mjete rrugore debitore që nuk kanë paguar taksat dhe pa kontrollin teknik të vlefshëm.
Sipas DPSHTRR-së, masa konkrete u morën nga Policia Rrugore dhe Taskforca e Transportit Rrugor, sipas legjislacionit në fuqi, ku u mbajtën akt konstatimet me masa administrative dhe tërheqje të lejes së qarkullimit, për të gjitha mjetet e konstatuara në qarkullim në shkelje të dispozitave ligjore.
“Ky aksion do të vijojë në mënyrë të pandërprerë me synim urgjent të ndërgjegjësimit publik mbi përgjegjësitë e detyrimet periodike që burojnë nga posedimi/përdorimi i mjetit rrugor, me theks të veçantë sigurinë rrugore dhe rritjen e besimit të publikut tek shërbimet e transportit rrugor, duke ngushtuar lakun ndaj abuzivizmit dhe pandëshkueshmërisë së spekulantëve”, njofton DPSHTRR-ja./rtsh