Friday, April 19, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

NDOTJA “RAMA”

BESNIK GJONGECAJ

NGA KRONIKAT

Në vitin 2013, ekzaktësisht kur Fuqitë e Mëdha vendosnin në Londër fatin e Shqipërisë të sapoçliruar nga pesha e rëndë e Perandorisë Otomane, një serb me emrin Vladan Gjorgjeviç botoi në Vjenë librin “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”. I shkruar në gjermanisht për t’u bërë sa më lehtësisht i lexueshëm, ky libër kishte si autor një njeri me status të trefishtë. Gjorgjevic ishte një politikan i lartë serb (Kryeministër i Serbisë, ministër i Arsimit, ministër i Jashtëm, kryebashkiak i Beogradit); ai vetëservirej si njohës i shkencës, status të cilin e përdori si alibi në favor të realizmit të përmbajtjes së librit të tij (kirurg – ekspert në fushën e shëndetit publik); dhe në fund, përmes këtij libri autori u shfaq para botës me statusin e një monstre të boshatisur nga substanca njerëzore. Libri iu dërgua vetëtimthi ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës. Qëllimi ishte i thjeshtë dhe çnjerëzor njëkohësisht: të ushtrohej presion mbi Konferencën për të modifikuar vendimet e saj mbi Shqipërinë në favor të Serbisë.

Në këtë libër shqiptarët karakterizohen si “…gjakpirës (bloodthirsty), pa fjalë apo pa gojë (stunned), pothuajse kafshë (animal – like), budallenj të lindur (so invincibly ignorant) aq sa të mos dallojnë dot sheqerin nga bora”. Sipas monstrës Vladan Gjorgjeviç, shqiptarët janë thjesht “shpellarë modernë (modern Troglodytes), që i kujtojnë atij paranjerëzorët, ndërsa flinin në pemë të kapur me bishtat e tyre”. Është e vërtetë, vazhdon monstra në librin e tij dërguar Fuqive të Mëdha, “që bishti u zhduk gjatë mijëvjeçarit, por midis shqiptarëve duket se ka pasur njerëz me bisht deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë…”.

31 tetor, 2022. Në një postim në “Twitter”, njeriu që sot e nëntë vite rëndon mbi karrigen e Kryeministrit të Shqipërisë duke mos ndalur asnjë ditë autosugjestionimin para kamerave se i tillë, Kryeministër do të mbetet edhe për shumë vite që vijnë, akuzoi kreun e opozitës të po atij vendi ku ai është Kryeministër, pra, akuzoi kreun e Partisë Demokratike të Shqipërisë në lidhje me të ashtuquajturin “skandal me rubla ruse”.

Akuza u formulua në mënyrë të çuditshme, e pangjashme me asnjë akuzë që mund të formulohej në politikën e këtij shekulli, aq më shumë në kontinentin e sotëm evropian. Kryeministri i vendit e portretizoi kryetarin e opozitës së Shqipërisë, që ka qëlluar të jetë verior, madje vetë opozitën, si “një njeri apo si njerëz me fytyrë njeriu, por me bisht në vend të gjuhës… të cilët janë gati të shqyejnë kufoma…”.

Edhe perversi më i rëndomtë që i vjen vërdallë këtij Kryeministri, lëri pastaj shqiptarët e lëçitur, mund të nuhasin menjëherë një asociacion tragjik, drithërues, të paimagjinueshëm deri më sot, midis këtij konstatimi të Kryeministrit shqiptar në vitin 2022 me karakterizimin që korbi Vladan Gjorgjeviç u bën shqiptarëve në librin “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” 109 vite më parë. Nuk është thjesht një shqiptar, nuk është as një shqiptar i çmendur, as një maniak, as një i gjymtuar në tortura të pafund, por, as më shumë dhe as më pak, është Kryeministri i Shqipërisë së sotme dora vetë, i cili përdor fjalët “bisht” dhe “shqyej” (e para si pjesë e trupit të kafshës dhe e dyta si formë e ushqyerjes së saj përmes vrasjes), për të karakterizuar një shqiptar tjetër, për të karakterizuar shqiptarë të tjerë, bashkëkombësit e tij në fund të fundit. Si “bisht” ashtu edhe “shqyerje” asociojnë kafshën.

Vetëm kafshën. Drejtpërdrejt madje, pa asnjë mundësi metaforike. Njësoj si jo shumë vite më parë, në dimrin e diktaturës, partia nga origjinon Kryeministri i sotëm ushqente urrejtjen e jugut të Shqipërisë ndaj shqiptarëve të veriut të vendit duke përhapur fshehtazi, në mjegull, pa kuptuar, karakterizimin “shpellarë” për ta. Ekzaktësisht ashtu si Vladan Gjorgjeviç përcillte në etër urrejtjen sterrë të zezë për shqiptarët, kombin shqiptar. Megjithatë, një pyetje mbetet.

Dhe pyetja është kjo: Nëse Vladan Gjorgjeviç i akuzoi shqiptarët si “prehumanë, qenie me bisht”, për t’i dhënë “prova” Konferencës së Fuqive të Mëdha se ata, shqiptarët, nuk kanë dhe nuk mund të kenë vullnet shtetformues dhe prandaj, si të tillë, nuk mund të formojnë një shtet të pavarur, atëhere ç’urrejtje, ç’mynxyrë e shtyu Kryeministrin e sotëm të shqiptarëve të rinxjerrë akuzën e korbit serb nga shpellat më të errëta të historisë ballkanike, atje ku ishte varrosur nga vitet, për ta rimarrë dhe riformuluar atë edhe njëherë kundër shqiptarëve? Çfarë mesazhi mendon Kryeministri i Shqipërisë se po i përcjell kombit shqiptar, Fuqive të Mëdha, Bashkimit Evropian duke ringjallur këtë akuzë të fillimit të shekullit të shkuar dhe përdorur në një luftë politike me bashkëkombësit e tij? Ç’zezëri po paralajmëron ai?

Protesta e sindikatës së universiteteve u shuajt pa u ndezur. U mek mes një trishtimi që ishte therës më shumë se sfilitës. Njësoj sikur vinte nga një plagë e mahisur, e lënë e tillë prej shumë vitesh, ndoshta dekadash. Në substancë protesta kishte legjitimitet moral. Sot universitarët trajtohen përbuzshëm si kurrë ndonjëherë. Në të gjitha pikëpamjet dhe jo vetëm financiarisht. Madje veçanërisht nga kryeministri i vendit, i cili e vjell këtë përbuzje si të ishte një cisternë urrejtje nga mëngjesi deri në darkë përmes tubacioneve që e lidhin atë me ekranet televizive. Një përbuzje që, në fakt, si një bumerang i kthehet mbrapsht vetë atij, sepse nuk ka universitar të vërtetë që nuk e kupton se në kontekstin e jetës së tij politike dhe jo vetëm, përbuzja e paanë nuk është gjë tjetër veçse produkt i një kompleksi agresiv inferioriteti.

Prandaj, vërtet që nuk ka gjë më të natyrshme se sa të pyesësh pse, pse një protestë e drejtë, e moralshme, legjitime, u shuajt, u venit, madje edhe pa u ndezur akoma!? Për ata që i njohin universitetet e këtij vendi, bash-shkaku nuk është as kompleks dhe as i çuditshëm. Ai është i thjeshtë dhe duhej të konceptohej si lehtësisht i parashikueshëm madje edhe para se të fillonte protesta. Akoma më shumë, bash-shkaku nuk është jashtë universiteteve, por brenda tyre. Më saktësisht, ai është në marrëdhëniet midis universiteteve dhe qeverisë. Në zbrazjen e universiteteve nga ajo substancë që i bën të tillë, universitete. Çka ka ndodhur si një koncesion politik që universitetet publike të vendit i kanë bërë qeverisë për të marrë licencën e saj në kultivimin e paaftësisë, nepotizmit dhe korrupsionit brenda tyre.

Universitetet dhe universitarët kanë kohë që kanë zëvendësuar rolin lider dhe guximin intelektual në shoqëri me paaftësinë, korrupsionin dhe frikën. Kishin marrë goditje në krejt tranzicionin, por goditjen fatale e morën kur pranuan në heshtje Ligjin e vitit 2015, i cili, i formuluar nga një grusht injorantësh dhe xhahilësh, gjithmonë nën kujdesin e kryeministrit të vendit që nuk le rast pa shfaqur talentin e tij të veçantë në thirrjen e horrave “nën armë”, e deformoi sistemin universitar dhe universitetet publike edhe më shëmtuar madje se ç’kishin qenë në diktaturë.

Ky Ligj, as më shumë dhe as më pak, rrënoi demokracinë universitare duke i shndërruar universitetet dhe sistemin universitar të vendit në struktura të ngrira, të pareformueshme dhe të vendosura nën peshën e rëndë të politikës, qeverisë. Sistemi universitar ngriu kur Ligji i shndërroi strukturat ndërmjetëse të tij si Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL), Bordi i Akreditimit, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH) Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL), Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI); nga struktura buferike, të cilat nuk i takojnë as universiteteve dhe as qeverisë, në shtojca drejtorish ministeriale, në “kamxhik”, që jo rrallë është përdorur nga qeveria sa herë ka vënë re që universitetet kërkojnë ndryshim politik në vend. Universitetet u shndërruan në struktura të pareformueshme kur pushteti brenda tyre nuk u shpërnda sipas parimit të “subsidiaritetit”, pra atij parimi, sipas të cilit vetëm ato përgjegjësi që nuk mund të përmbushen në nivelin më të ulët i kalojnë një niveli më të lartë. Si në një skenar konspirativ, okult, moszbatimi i këtij parimi bëri që pushteti të përqendrohej atje lart dhe të përgatitej për t’u marrë nga qeveria përmes depërtimit të saj në bordet e administrimit. “Shokët atje lart” tashmë e kishin në dorë universitetin dhe pikërisht për këtë arsye, universitarët u përjashtuan nga qeverisja e tij, ndërsa universiteti publik u shndërrua përfundimisht në një strukturë të pareformueshme.

Universitarët heshtën përsëri dhe vazhduan të heshtin edhe kur zgjedhjet universitare, si instrument demokratik i rivitalizimit të universitetit, u kthyen në varrmihës të tij. Sepse u bë e pamundur që ato të ishin të lira në universitete të skllavëruara. Heshtja e gjatë nuk kishte si të mos çonte edhe në deformime të rënda të rolit dhe personalitetit të universitarëve të këtij vendi. Frika zëvendësoi guximin intelektual dhe heshtja shndërroi në hije personalitetin e universitarit, demokracinë universitare. Ja pra, ky ishte edhe bash-shkaku pse protesta e universitarëve u fik para se të ndizej. Sepse pishtarin e mbajnë ndezur universitarë të lirë në universitete demokratike! Dhe e shuajnë diktatorët, kur sundimi i tyre pranohet nga universitarët si mbijetesë. Ja pse, prandaj, zgjidhja e problemit universitar nuk është më tek universitetet dhe as tek universitarët, por te populli, te qytetarët e thjeshtë të këtij vendi.

Shqipëria është një vend i kërcënuar prej shumë rreziqeve. Rreziku më i madh, megjithatë, qëndron te pranimi tragjik i së keqes, lehtësia me të cilën qytetarët e saj ambientohen me të. Krahas ngrohjes globale, ndotjes kimike, asaj nga ujërat e zeza, ndotjes së ajrit dhe ngopjes së tij me agjentë kancerogjenë, ndotjes së ushqimit, Shqipëria po rrezikohet nga një ndotje e paparë në fytyrë të Dheut: nga ndotja që shkakton urrejtja politike dhe verbëria shtetërore. Në këtë pikëpamje, Kryeministri i vendit po evidencohet çdo ditë e më shumë si ndotësi më i rrezikshëm në shoqërinë dhe politikën e këtij vendi. Veçanërisht në terrenin e rivitalizimit të vullnetit shtetformues dhe qytetar të shqiptarit, si dhe në hapësirën e idealit universitar. Çfarëdo që “prek” ai me dorë, qoftë në të parën apo qoftë në të dytën, transformohet në një njollë nekrotike dhe për shkak të natyrës së psikologjisë të vullnetit shtetformues, ashtu edhe mentalitetit të idealit universitar, si fenomene shpirtërore që lëvizin dhe ndryshojnë shumë ngadalë, njollat vdekjesjellëse që ai le pas sa herë që prek parashikohen të mbeten të tilla, të pashërueshme, për një kohë të gjatë. Ata që merren me monitorimin dhe kontrollin e ndotjeve, për të sinjalizuar shkallën e rrezikut, përdorin një sistem vlerësimi dhe brenda këtij sistemi ata parashikojnë edhe kufirin kritik të ndotjes, tej të cilit ndodh katastrofa. Ndotja e shkaktuar nga Kryeministri i vendit tashmë është shumë pranë kufirit të saj kritik. Tej të cilit, po të lejohet, pritet që as më shumë dhe as më pak të vihet në rrezik mbijetesa e shqiptarëve dhe e shtetit shqiptar.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME