Nuk mungon as absurdi në betejën me flakët: Zjarrfikësit e Fierit përballen me zjarret me ‘pistoleta’…

Në një kohë kur vatrat e zjarrit vijojnë të përhapen në disa zona të vendit, pamjet nga terreni tregojnë edhe një njëherë situatën se ku i ka lënë shteti forcat zjarrfikës.
Në Fier, në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët, efektivët e shërbimit zjarrfikës shihen duke përdorur mjete që ngjajnë më shumë me “pistoleta uji” fëmijësh sesa me pajisje të përshtatshme për përballimin e një zjarri.
Pamjet janë domethënëse për gjendjen në të cilën detyrohen të punojnë zjarrfikësit, të cilët përballen çdo ditë me temperatura të larta dhe vatra zjarri që rrezikojnë pyje, toka bujqësore dhe banesa, ndërsa pajisjet në dispozicion mbeten larg nevojave reale.
Në vend të mjeteve moderne dhe pajisjeve të plota për ndërhyrje, zjarrfikësit duket se duhet të improvizojnë për të përballuar flakët.
Ndërsa zjarret po shkrumbojnë sipërfaqe të tëra në zona të ndryshme të vendit, ata që janë në vijën e parë të betejës me flakët mbeten të ekspozuar dhe, në disa raste, të detyruar të punojnë me mjete që nuk përputhen aspak me përmasat e emergjencës.
Pamjet nga Fieri janë një tjetër dëshmi e hendekut mes propagandës për gatishmërinë ndaj emergjencave dhe realitetit në terren.








