Sali Berisha thotë se nuk do të bashkëpunojë me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn për zgjedhjet e 14 majit. Kreu i demokratëve theksoi se ata janë “pengjet” e kryeministrit Edi Rama dhe se përdoren prej tij për të dëmtuar PD.
“Nuk ka marrëveshje me pengjet po nuk i la pengmarrësi. Lulzim Basha, me daljen në dritë të aferës me McGonigal është e qartë që mbyllja e dosjes së Bashës është marrje peng nga Rama. Peng është dhe Alibeaj. Mund të negociosh me pengmarrësin, por me pengun nuk ka negociata. Ata që mendojnë se mund të negociojnë me Bashën dhe Alibeajn, ata mendojnë se mund të negociohet me hiçin. Ata janë vegla në duart e Ramës” – tha Berisha në emisionin “Opinion”.
Berisha tha se çështja e vulës do të shkojë edhe në gjykatat ndërkombëtare pasi të ketë ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në vendin tonë.
“Apelimi ka 2 kuptime: Kuptimi i parë është sepse pavarësisht se këto janë institucione të kontrolluara tërësisht nga partia, këtu nuk ka një alternativë tjetër dhe ne nuk kemi një parti për një rend parashtetëror dhe kuptimi i dytë është se ne kemi besim të plotë në Gjykatën Ndërkombëtare, e cila ka një rregull që ankimimi atje të ketë kaluar shkallët e gjyqësorit, por e preferuar është kjo.
Nuk mund të pranojë kurrë gjykata e Stasburgut një proces gjyqësor ku palë shpallet ajo që nuk ka qenë palë. Ky standard Rama-Yuri Kim në Shqipëri, nuk ekziston askund në botë përveç se në Korenë e Veriut. Mund të ekzistojë në Bjellorusinë e Lukashenkos apo në ndonjë vend tjetër diktatorial. Shqipëria ka të drejtën e plotë që t’i drejtohet Gjykatës Ndërkombëtare” – tha Berisha që nuk i kurseu akuzat edhe për ambasadoren amerikane Yuri Kim.
“Qëllimi i Edi Ramës dhe Yuri Kim ka qenë që PD të mos marrë pjesë në zgjedhje. Yuri Kim ka parashikuar që ose bëhet kjo ose shkatërrohet PD-ja, por nuk u bë. PD-ja është forca kryesore politike opozitare. Edi Rama është sot një armik real i SHBA me aktin që ka kryer. Është një kufomë e pakalluar që do të marrë ndëshkimin e vet, kurse PD-ja është një forcë politike pro-perëndimore që mbron vlerat të cilat ndan me shoqëritë e këtyre vendeve” – tha Berisha.