
Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë në KQZ ku kërkon që të ndërhyhet nga policia e shtetit për të hequr logot dhe simbolet e partisë nga zyrat me qira të koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës.
Kërkesa është depozituar nga Franc Nuri, përfaqësues ligjor i PD-së, më 21 mars, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, si dhe Policisë së Shtetit.
“Jemi vënë në dijeni për keqpërdorimin e simboleve dhe logove të partisë tonë dhe Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Kemi marrë raportime nga mbështetësit tanë se veçanërisht në Njësinë nr. 5 në Tiranë, në rrugën “Nikolla Tupe”, ka logo dhe simbole të partisë tonë te zyra e vjetër”, thuhet në ankesën e depozituar.\
Më tej, në letër thuhet se “përdorimi i këtyre simboleve në prag të fushatës dëmton interesat e ligjme të subjektit tonë”.
“Kërkojmë nga KQZ dhe Policia e Shtetit marrjen e masave për heqjen e këtyre simboleve, logove dhe stemave nga këto zyra”, theksohet më tej.
Më herët ka pasur edhe një kërkesë tjetër për heqjen e logove nga një prej zyrave me qira të degëve të marra nga Basha për zgjedhje, ku kishte tabela të PD-së. Ato u hoqën menjëherë pas urdhrit të KQZ-së.
Lulzim Basha aktualisht e ka dërguar rekursin e vulës në Gjykatën e Lartë dhe pret një vendim prej saj.