Monday, May 20, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËPër të kuptuar gjeneral Begajn e së ardhmes, kujtoni gjeneral Lleshajn e...

Për të kuptuar gjeneral Begajn e së ardhmes, kujtoni gjeneral Lleshajn e së shkuarës

Nga Alfred Lela

Të gjithë prisnin e flisnin që Edi Rama të zgjidhte një grua si President/e
të vendit. Ai nuk i kënaqi parashikuesit e kësaj teze, por u bashkua me ta te
fakti se zgjedhja do të ishte ekskluzivisht e tij. Siç prej një muaji jehon
komentariati politik në Tiranë.

Rama, duke mos zgjedhur një grua, nuk është se iu largua shumë prirjeve të
veta. Mos harroni se, edhe një President para Metës, ai kishte ofruar
kandidaturën e një ushtaraku, gjeneralin Sandër Lleshaj, emri i të cilit kishte
ardhur te ai nëpërmjet shkrimtarit Ismail Kadare.

Duhet të ndalemi te ky profil, ai i ushtarakut të lartë, të cilin e
përfaqësonte deri dje Lleshaj në aulat e politikës socialiste dhe nga sot e për
pesë vjet me radhë, Bajram Begaj. Skanimi i profilit profesional dhe njerëzor
është i rëndësishëm për të kuptuar se deri ku do të jetë z. Begaj President i
Edi Ramës dhe sa ‘përfaqësues i unitetit të kombit’ dhe mbi palët politike.

Statura e gjeneralit dhe uniforma e ushtarakut, në shikim të parë të çojnë
drejt shtampës së një burri serioz, që nuk bën kompromise dhe që ka ‘nderin,
detyrën dhe atdheun’ para çdo gjëje, siç tha edhe vetë dje
gjenerali-në-pritje-të-Presidencës, në takim me Kryeministrin. Ne jemi të
detyruar ta vëmë dyshimin në fre për Presidentin e propozuar, por nuk ka se si,
të mos bëjmë një krahasim me gjeneralin tjetër, i cili mori dy favore nga
Partia Socialiste dhe Edi Rama, Sandër Lleshajn.

Në fillim i rrëzuar nga Berisha për postin e Presidentit, ai u kthye në
kohën e qeverisjes socialiste, në fillim si këshilltar ushtarak i kryeminsitrit
Rama dhe më vonë si ministër i Brendshëm. Në këtë detyrë ai prodhoi disa prej
momenteve më kundërthënëse në raport me opozitën, duke tejkaluar fort edhe
socialistët 24 karatësh, paraaradhësit e tij, Sajmir Tahiri dhe Fatmri Xhafaj.
Brutaliteti i ndërhyrjeve të Policisë së së tij në protestat e opozitës ishte i
pashoq. Mbipesha e hedhur te përdorimi i gazit lotsjellës dhe dhunës policore
mund të vinte me dy shpjegime: zelli prej shërbëtori për t’i hyrë në qejf
shefit ose inati i  padalë me opozitën, e cila kur emri i tij ishte
thirrur në apel nga historia për t’u bërë i pari i vendit, u prit me refuzim.

Cilido qoftë interpretimi, z. Lleshaj do të mbahet mend si nxënës i
teprimit. Si të gjithë ata që e teprojnë me shërbime, ashtu përfundoi edhe ai.
I dorëhequr pas vrasjes së Klodian Rashës ai tranzitoi drejt fundit si drejtues
qarku i PS në Lezhë. Rivaliteti me figura të tjera të PS atje, e bënë Ramën që,
mes tij dhe socialistëve të zgjidhte ata që u vlente lëkura politikisht dhe jo
zejtarinë në zell të Lleshajt. Ai e pa veten jashtë listës së kandidatëve për
deputetë, dhe kjo e hodhi andej nga erdhi, në margjinat e jetës publike.

Sot më shumë një kujtim i hidhur i opozitarëve se sa një kujtesë politike,
Lleshajt i duhet të lëpijë plagët e zelltarit që mendon se shërbimi nuk i është
shpërblyer. Leksioni që ai la si ministër i Brendshëm, dhe do të kish prodhuar
edhe po të ishte zgjedhur President është se kandidaturat dhe profilet
jopolitike apo jopublike, janë dëshmuar të papërshtatshme, në mos
kundërproduktive në rolin e kreut të shtetit, apo dhe në ushtrime të tjera të
pushtetit. Pa fibrën politike ata kthehen në profesionistë jashtë gravitetit të
tyre. Të trysnuar nga fuqia e madhe e krerëve dhe mjedisit politik ata kërkojnë
të plotësojnë me zell, atë që nuk e kanë në staturë politike.

Ky ishte hendeku në të cilin ra Sandër Lleshaj dhe i njëjti rrezik e prêt
Bajram Begajn. 

 

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME