Sunday, October 13, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPërgjimet/ Si u zbulua spiuni i huaj me nofkën “Rezidenti”

Përgjimet/ Si u zbulua spiuni i huaj me nofkën “Rezidenti”

Zbardhen pjesë të tjera nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2021 ku ka një pjesë interesante për spinazhin. SHISH zbardh edhe përgjimet e një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jo-mik dhe me mbulesë diplomatike, të cilin e quan me nofkën “Rezidenti”.

Në raport thuhet se “Rezidenti” kishte kontakte me qytetarë shqiptarë, por edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale Synimi i tij ishte që të kishte qasje dhe të mundësonte takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, duke shmangur mbikëqyrjen nga strukturat e sigurisë.

Pjesë nga raporti i SHISH:

Gjatë monitorimit të aktivitetit të një punonjësi të huaj të dyshuar të një agjencie inteligjente të një vendi jomik dhe me mbulesë diplomatike që, në këtë rast, po e quajmë me nofkën “Rezidenti”, u evidentua aktivitet i ngjeshur në kontakte me qytetarë të ndryshëm të vendit tonë, midis të cilëve edhe me punonjës të administratës qendrore e lokale, për shkak të funksionit diplomatik që përdorte si mbulesë. Përparësia i këtij operativi është njohja e gjuhës shqipe dhe zhdërvjelltësia në krijimin e kontakteve. Është vënë re prirje e tij për të pasur qasje dhe për të mundësuar takime në zyra institucionesh që administrojnë informacion të klasifikuar, si dhe veprime për të shmangur mbikëqyrjen nga struktura të sigurisë.

Dyshimet e para se “Rezidenti” kishte nisur një operacion të mundshëm rekrutimi erdhën pas frekuentimit të disa kabinave publike telefonike, në orare të përafërta në ditë të caktuara të muajit, të cilat realizoheshin pas lëvizjeve në rrugët e qytetit në këmbë dhe me automjet, për t’u siguruar që të ishte jashtë rrezes së monitorimit të strukturave të specializuara.

Pritësi i thirrjeve telefonike ishte një shtetas shqiptar, punonjës në institucionin qendror A. Punonjësin këtu po e quajmë me emrin “Çelësi”.

Në një rast, në vigjilje të Vitit të Ri, “Rezidenti” komunikon me “Çelësin” dhe i kërkon një takim për ta uruar për festat e fundvitit.
Nisur nga kjo situatë, u ndërmorën disa veprime të kualifikuara për të dokumentuar takimin dhe për të vlerësuar nivelin e marrëdhënieve mes tyre. Duke e vlerësuar “Rezidentin” si profesionist, i cili kishte mundësi të vogla për të gabuar, u planifikuan detyra operative për verifikimin e figurës dhe monitorimin e aktivitetit të “Çelësit”. Po, ashtu, u morën masa për të verifikuar qasjen e “Çelësit” në informacion të klasifikuar “Sekret Shtetëror” si dhe të dhëna për ndryshimin e sjelljes së tij në rutinën e përditshme të punës. Të dhënat e para treguan se “Rezidenti” i kishte frekuentuar shumë rrallë ambientet e zyrës ku punonte “Çelësi” dhe, në dukje, nuk kishte shprehur ndonjë interes të veçantë në drejtim të “Çelësit”.

SHISH-i mësoi se “Çelësi” ishte njohur me “Rezidentin” në një nga aktivitetet e zhvilluara nga një përfaqësi diplomatike, ku shkëmbyen numrat e telefonit pas takimit të rastësishëm. Kohë më vonë, “Rezidenti” ishte shfaqur në zyrën e “Çelësit”, i cili për momentin u ndodh i vetëm, dhe e kishte pyetur për vendndodhjen e përfaqësuesit të marrëdhënieve me jashtë të institucionit. Duke përfituar nga kjo situatë, “Rezidenti” e ftoi për kafe në një nga baret me pak frekuentim në afërsi të institucionit. “Çelësi” pranon të konsumojë kafen, por në biseda nuk u vu re ndonjë temë konkrete interesi. Bisedat ishin të karakterit të përgjithshëm, rreth familjes, arsimit, ambientit të punës dhe problematikat e përgjithshme. Në përfundim, “Rezidenti” e fton për një drekë jashtë qytetit, duke përcaktuar orën dhe ditën, si dhe i kërkon disa të dhëna që, në kontekstin e detyrës së “Çelësit” nuk përbënin ndonjë çështje sekreti.

“Çelësi” pranoi të takoheshin për drekë, për t’u njohur më mirë dhe për të shfrytëzuar këtë kontakt “diplomatik” me synim shkollimin me bursë studimi që ofronte shteti i “Rezidentit” për djalin e tij. Gjatë drekës, “Rezidenti” krijoi një njohje më të plotë të profilit personal dhe të punës, të aksesit të “Çelësit” ndaj informacionit të klasifikuar, duke i premtuar se do ta ndihmonte për shkollimin e djalit. “Çelësi” u ankua se, me të ardhurat si nëpunës, e kishte të pamundur shkollimin e djalit jashtë vendit dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e ofruar.

“Rezidenti” i thotë se asgjë nuk ishte e pamundur nëse ky do të ofronte ndihmë dhe të mblidhte disa informacione që nuk do të cenonin detyrën e tij funksionale. Pas një ngurrimi të shkurtër, “Çelësi” ra dakord në parim për ta ndihmuar dhe “Rezidenti” i kërkoi disa informacione, duke i siguruar edhe një pajisje elektronike për hedhjen e tyre. “Rezidenti” i përcaktoi edhe takimin e radhës për darkë, në një zonë dhe lokal tjetër, jashtë qytetit.

Në takimet e radhës, të organizuara në mënyrë të paracaktuar apo nëpërmjet telefonatave nga kabina të telefonave publikë, “Rezidenti” i ka dhënë zarfe me shuma të ndryshme të hollash “Çelësit”. Gjithashtu, ka paguar gjithmonë faturat e shpenzimeve. Fshehtësinë e takimeve të tilla “Rezidenti” e ka justifikuar me arsyetimin se e bën për të mbrojtur “Çelësin” dhe prandaj i ka dhënë edhe një numër tjetër telefoni, ku ai të komunikonte në raste urgjente. Për arsye të mbrojtjes së aktivitetit, burimeve dhe ngjashmërisë me një rast specifik, SHISH-i nuk mund të publikojë të plotë vijimin dhe përfundimin e kësaj situate.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME