Fier – Reagimi i menjëhershëm i Policisë parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale në familje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Danger”. Gjatë operacionit u vu në pranga një 60-vjeçar që ushtronte dhunë ndaj djalit të tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë reaguar menjëherë pas njoftimit të marrë se një 60-vjeçar ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit të tij. Falë reagimit në kohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Danger”, është parandaluar përshkallëzimi i konfliktit midis këtij shtetasi dhe djalit të tij.
Gjatë kontrollit në banesën e 60-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh (1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pushkë, 2 armë gjahu), 12 krehra dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gëzim Sulejmanaj, 60 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje, prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.