Tuesday, December 3, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKRYESOREProfil/ Kush ishte shkrimtari i shquar Ismail Kadare, përfaqësuesi kryesor i letërsisë...

Profil/ Kush ishte shkrimtari i shquar Ismail Kadare, përfaqësuesi kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë

Një nga legjendat e letërsisë shqiptare i njohur botërisht, Ismail Kadare ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e ditës së sotme.

Poeti dhe shkrimtari i shquar, Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Në qytetin e Gjirokastrës, Kadare përfundoi edhe arsimin e mesëm. Ai është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi. Në vitin 1958, Kadare ka mbaruar degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e ka nisur si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por është bërë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që është pasuar nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk është lejuar të botohej i plotë deri në vitin 2003. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e ka trajtuar edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare ka kritikuar psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj, shkruan KosovaPress.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare kishte vendosur të largohej nga Shqipëria dhe të qëndronte në Paris. Shkrimtari në atë kohë e ka përligjur këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e kanë dënuar largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk është ndaluar. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij është bërë shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 ka bartur të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994 ai është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në vitin 2005 ka fituar çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23.06.2012 është nderuar me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai ka dalur fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës, ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare ka shkruar edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013.

Kadare ishte i martuar me shkrimtaren, Helena Kadare, dhe kanë dy vajza. Vajza e madhe, Gresa mbaroi Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Francë vijoi dhe kreu studimet në Universitetin e Sorbonës dhe punon si shkencëtare dhe pedagoge në Francë. E vogla, Besiana ka qenë ambasadore e përhershme e Shqipërisë në UNESCO, e liruar nga detyra më 2016 u emërua ambasadore e Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke mbuluar edhe përfaqësuesen e Shqipërisë në Kubë, jo rezidente.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME