Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETProfili i 3 kandidatëve që garojnë për kreun e SPAK-ut

Profili i 3 kandidatëve që garojnë për kreun e SPAK-ut

Mesditën e sotme pritet që të mësohet emri i ri i kreut të SPAK. Në garë janë Adnan Xholi, Edvin Kondili dhe Altin Dumani. Të tre kanë karrierë të gjatë si prokuror. Dy prej tyre, përkatësisht Kondili e Dumani kandiduan edhe përballë Arben Krajës 3 vite më parë, ndërsa Xholi kandidoi në garën për kreun e BKH-së, post të cilin e fitoi Aida Hajnaj. Kronika në vijim ju njeh me profilin e 3 kandidatëve për karrigen e kreut të SPAK

Të premten e 16 dhjetorit, Arben Kraja nuk do të jetë më drejtues i SPAK, ndërsa drejtimin e kësaj strukture pas votimit nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, do ta marrë një nga kandidatët me numrin më të lartë të votave.

Por kush do të jetë profili i kreut të ri të SPAK?!

Kandidatët kanë disa të përbashkëta në raport me garën. Edvin Kondili dhe Altin Dumani futen për herë të dytë, teksa 3 vite më parë humbën përballë Arben Krajës.

Një disfatë të tillë e pati edhe kandidati tjetër Adnan Xholi, në garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, post të cilin e mban Aida Hajnaj. E përbashkëta tjetër mes tyre është fakti se kanë secili mbi 20 vite në sistemin e drejtësisë.

Edvin Kondili, e nisi karrierën pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda në vitin 2004 dhe e vijoi atë edhe në Prokurorinë e Posaçme, ku aktualisht mban detyrën e drejtuesit të seksionit për korrupsionin. Paralelisht, Kondili është angazhuar si lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe si ekspert për organizatat ndërkombëtare. Ai ka udhëhequr një sërë hetimesh, mes të cilave të trafikimit të kanabisit si dosja “Lazarati”, grupin e Admir Tafilit apo ato për kapjen e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit, përmes kompanisë së Arbër Çekajt që ndodhet prapa hekurave. Kondili momentalisht ka në duar dosjen e koncesionit të sterilizimit për të cilën ende nuk ka një vendim. Për çështjen mori së fundmi në pyetje ish-ministrin Ilir Beqja. Gjithashtu ai është prokurori i çështjes së Teatrit Kombëtar i cili u shemb pranverën e vitit 2020.

Adnan Xholi prej vitit 2013 derisa u bë prokuror i SPAK punonte në Prokurorinë e Përgjithshme duke ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës. Ai është vlerësuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më herët, ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, dhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vitin 2015, për 7 muaj ishte i komanduar si drejtues në këtë prokurori. Pak javë më parë nën drejtimin e tij u finalizua operacioni në Frakull të Madh të Fierit ku u kapën një sasi prej 430 kg kokainë. Xholi njihet për rolin e tij në shkatërrimin e grupit “Kompas”, në qershor të vitit 2004 ku ranë në pranga më shumë se 48 persona pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës dhe prostitucionit.

Altin Dumani, aktualisht është zëvendësdrejtues i Strukturës së Posaçme, dhe drejtues i seksionit për krimin e organizuar. Ai e ka nisur detyrën në vitin 1999 si Oficer i Policisë Gjyqësore. Dumani ka mbajtur detyrën si zëvendësdrejtues i ish-Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Prokurorisë së Tiranës. Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000. Dumani është një nga prokurorët që drejtoi njësinë Task-Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e zyrtarëve. Së fundmi drejtoi hetimet në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’, ku u prenë urdhër arreste për 31 persona, mes të cilëve, personazhe të njohura të botës së krimit.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME