Programi i PD-së/ Berisha: Bie taksa ‘Rama’, ulje e çmimit të karburanteve

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha foli sot në një konferencë për shtyp për programin ekonomik të PD-së. Berisha tha se në rast se forca e tij politike vjen në pushtet do të bie ajo që e quan taksa ‘Rama’ e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon +-10% nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë.
Ai shtoi se të rinjtë, gratë dhe diaspora do të kenë trajtim të veçantë dhe lehtësira fiskale. Gjithashtu Berisha tha se do të reduktohet 4 herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese dhe do të bëhet gjithçka për dixhitalizimin më të plotë të veprimtarisë së bizneseve.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Bie taksa ‘Rama’ e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon +-10% nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë. Do të reduktohet 4 herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese, 4 herë. Do të bëhet gjithçka për dixhitalizimin më të plotë të veprimtarisë së bizneseve. Do të thjeshtohet në maksimum legjislacioni fiskal, për të siguruar qëndrueshmëri të kodit dhe ligjeve fiskale. Do anulohen të gjitha lehtësirat fiskale të dhëna nga ligje dhe vendime preferenciale, të porositura nga familjarë dhe oligarkë të qeveritarëve.
Paguajnë taksën 6%, në një kohë kur qytetari e paguan TVSH 20%. Ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë. Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve. Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit.
TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror. Do të ngrihet menjëherë bordi i cili do të përcaktojë kompensimin e pasojave që vijnë nga ndryshimi i kursit të këmbimit, në mbrojtje të sipërmarrësve dhe prodhimit vendas, pasi narkoeuro është shndërruar në një shpallë demokleu për to dhe ata do të kompensohen.
Ekonomia informale do të përgjysmohet. Objektivi afat mesëm për të ardhurat buxhetore do të jetë 30%. Në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë. Këta janë të rinjtë, gratë dhe diaspora. Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për punësimin e parë të të rinjve nga sipërmarrësi gjer në moshën 25-vjeçare. Gjithashtu përjashtim nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat deri në moshën 25-vjeçare.
Stimuj fiskal dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç. Studentët, profesionistët do të mbështeten çdo vit me grante 5-30 mijë euro për startupet që do të fillojnë. Do të hiqet barra e tatim fitimit për gratë që hapin një biznes dhe subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për to dhe stafin e tyre, me kushtin që të paktën gjysma e të punësuarve të jenë gra e vajza, ose të rinj deri në moshën 30 vjeç.