Friday, December 6, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETPronarë e punëtorë të “Sterilizimit”, hapën kompani për mbifaturim të vetvetes

Pronarë e punëtorë të “Sterilizimit”, hapën kompani për mbifaturim të vetvetes

Një skenar i ngjashëm, ashtu siç përshkruhet tek libri “Financieri” ka ndodhur dhe tek koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ku pronari shqiptar Ilir Rrapaj dhe ata italianë, por dhe drejtorët e kompanisë koncesionare, hapën një seri kompanish duke faturuar vetveten.

Faturimi i vetvetes dhe lidhja e kontratave të shërbimit me kompani të treta të hapura nga vetë pronarët e koncesionit, ishte në kundërshtim me kontratën e sterilizimit, pasi firma “Sani Service” në pikën 4 të kontratës ka pretenduar se:

…ka të gjithë informacionin, pajisjet, sistemet dhe personalin e nevojshëm dhe të kualifikuar me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo kontratë…

E veç hapjes së kompanive, rezulton në dosjen e SPAK se vetë pronarët e koncesionit, kanë lidhur kontrata shërbimi dhe shpërblimi me vetveten, duke faturuar qindra mijëra euro në llogaritë e tyre.

Një skemë mjaft e dyshimtë që krijon bindjen për pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe korrupsion, duke krijuar metastaza niptesh tatimorë, ku qëllimi ka qenë mbifaturimi financiar i vetvetes

“Ora News” mëson se një gjë e tillë është kryer duke përdorur kartat e identitet për hapjen e kompanive në emër të pronarëve të koncesionit, punëtorëve të koncesionit, fëmijëve të tyre, nipave dhe grave.

Skema është e qartë: vetë shisnin, vetë blinin.

Sindromës për hapjen e një kompanie tregtare, nuk i ka shpëtuar dhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili në datën 18 qershor 2018 ka themeluar nipt fizik me emrin tregtar “Health Protection International.

Sipas dosjes së SPAK, miliardat e buxhetit të shtetit kanë kërcyer dhe qarkulluar nga xhepi në xhep, mes një grushti të vogël njerëzish që punonin dhe kishin pronësinë e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

Kërcitja me “top” të parave publike, është vënë re që në 25 nëntor 2015, plot 15 ditë para se Ilir Beqaj të firmoste kontratën e sterilizimit me vlerë 100 milion euro.

Pronari kryesor i koncesionit me 40 për qind të aksioneve në “Sani Service”, Ilir Rrapaj, ka vendosur të shpërblejë veten e tij me 120 mijë euro.

Shpërblimi ka ardhur përmes një kontrate konsulence që Ilir Rrapaj ka bërë me kompaninë koncesionare “Sani Service” të Ilir Rrapaj.

I njëjti mekanizëm është bërë dhe me Elisabetta Anzanello, e cila është Drejtoreshë në “Sani Service” dhe njëherësh gruaja e italianit aksioner në “Sani Service”, Umbro Staçini. Anzanello, ka fituar shpërblim 162 mijë euro, ndërsa burri i saj Umbro, ka faturuar 120 mijë euro.

Ky skenar është përdorur dhe për të faturuar 198 mijë euro nga “Sani Service” tek kompania mëmë e saj dhe pronarja “Ujet S.R.L”

Pra që në hapat e para të koncesionit, pronarët kanë shpërblyer financiarisht pronarët me shifra mbi 100 mijë euro.

Ndërsa në kohët në vijim vetë pronarët dhe punëtorët e koncesionit rezultojnë të kenë hapur një zinxhir kompanish, për të faturuar me miliarda lekë vetveten.

Mes dhjetëra kontratave është zbuluar një dokument ku shfaqet bashkëpunimi profesional me shoqërinë shqiptare “Eumedica Senior” me administrator Umbro Staçini, pronar i “Sani Service” për ofrimin e shërbimit të mbikëqyrjes dhe koordinimin e aktiviteteve të planifikimit dhe projektimit të kompleteve proceduriale të instrumenteve kirurgjikale, identifikimin e furnitorëve të instrumenteve kirurgjikale dhe shërbime tjera konsulence organizative, me afat një vjeçar me ripërtëritje në heshtje nëse nuk parashikohet ndryshe, kundrejt shpërblimit me tarifë fikse vjetore 120 mijë Euro pa TVSH.

Ndërsa për vitin 2019, do të jetë 50 mijë euro për pesë muaj. Kjo tarifë fikse është përveç kostove dhe rimbursimeve të shpenzimeve, si dhe bonusit të parashikuar sipas formulës përkatëse.

Ilir Rrapaj, pronari kryesor i koncesionit të sterilizimit “Sani Service”, hapi dy kompani të tjera si “Globalsher” dhe “AlbaMed 2014”, ku në këtë të fundit 40 për qind aksioneve është Drejtoresha e kompanisë së sterilizimit Elisabetta Anzanello.

Përmes faturave fizike të shitjeve që gjenden në dosjen penale kuptohet qartazi se “Globalsher” e Ilir Rrapaj është faturuar nga “SaniService” e Ilir Rrapaj, për shërbimet e mirëmbajtjes “Full Risk” të instrumenteve, aparatura procesi, impiante, mirëmbajtje vjetore në vlerën 696.752.500 lekë dhe 321.811 euro.

Por koncensionarin ka deklaruar në paragrafin 4 të Kontratës Koncesionare, pika e se:”…ka të gjithë informacionin, pajisjet, sistemet dhe personelin e nevojshëm dhe të kualifikuar me qëllim zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga kjo kontratë…”.

Pra edhe pse ka deklaruar këtë, vërehet se janë nënshkruar kontrata dhe kryer pagesa për shërbime konsulence profesionale për Ilir Rrapaj, Umbro Staçini, “Servizi Italia”, “Tecnosanimed”, “Ujet”, “Eumedica Senior”, “AlbaMed 2014”, “GlobalSher”, “Gama Service”, “Steralb” dhe “Sitec”, ndërkohë që këta janë ortakët e vetë firmës konçesionare “SaniService”.

Këto kontrata shërbimi janë në vlera të konsiderueshme dhe janë të vazhdueshme përgjatë kohëzgjatjes së koncesionit, duke qenë në fuqi edhe tani.

Por SPAK dhe oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk kanë gjendur dokumentacion justifikues për shërbimet konkrete që koncensionari “Sani Service”, ka marrë nga vetë shoqëritë apo individët, që janë pjesë e organikës së tij.

Sipas vendimit të gjyqtarit Erjon Bani, shërbimet e mirëmbajtjes për impiantet, aparaturat e procesit dhe instrumentet kirurgjikale janë nënkontraktuar tek “Globalsher” që sapo ishte formuar dhe nuk kishte asnjë kapacitet ekonomik, teknik dhe profesional që të kryente këto shërbime.

“…ndërkohë që koncensionari ka parashikuar në dokumentet e ofertës në plan biznes se për mirëmbajtjen do të ngrihej një qendër teknike nga koncensionari. Një gjë e tillë nuk është realizuar…”-thuhet në vendimin e gjykatës së posaçme.

Ndërkohë pas nënkontraktimit të kontratës nga “SaniService” i Ilir Rrapaj dhe “Globalsher” i Ilir Rrapaj, ky i fundit i ka dhënë shërbimet me nënkontraktim tek subjektet të tjera si “Florjan Biçaku PF”, “Servet Biçaku PF”, “Me-Sys s.r.l”, “Comfort Sh.p.k”. etj.

Këto subjekte kanë faturuar rreth 44.000.000 lekë “Globalsher” për të njëjtat shërbime që kjo kompani e Ilir Rrapaj, i fundit ka faturuar konsencionarin SaniService të Ilir Rrapaj shumën prej 696.752.500 lekë dhe 321.811 euro.

Në vendimin e gjykatës thuhet se nuk ka dokumentacion që të provojë mirëmbajtjen e bërë nga “Alba light” e Altin Nervaj. Gjithashtu, në deklarimet e bëra në SPAK nga Servet Bicaku dhe Florian Bicaku, rezulton se mirëmbajtja e impjanteve dhe aparaturave të procesit është bërë nga ata në të gjitha centralet e sterilimit në të gjithë Shqipërinë.

Në deklarimin e bërë nga Bledar Rrokaj, mirëmbajtja e instrumenteve bëhet nga kompania “Me-Sys s.r.l”. Po ashtu, Bledari ka shpjeguar se kur instrumentet kirurgjikale të dërguara tek “Me-Sys s.r.l”, për riparime nuk riparohen dot, atëherë zëvendësimi i instrumenteve bëhet nga “SaniService” dhe jo nga “Globalsher”.

“…Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë me një shërbim “Full Risk” të marrë nga “GlobalSher”….-thuhet në vendimin e gjykatës së posaçme.

Gjithashtu nga Raporti i Kontrollit Tatimor i datës 18 Maj 2018, konstatohet se dhe shërbimet e furnizimit që “Globalsher” ka bërë për “SaniService”, janë shërbime që futen në kategorinë e konsulencës.

Pasi “Globalsher” i Ilir Rrapaj furnizon “SaniService” të Ilir Rrapaj me produkte që nuk i disponon, por i merr nga kompani të tjera. Në këtë rast “Globalsher”, konstatohet se shërben vetëm si ndërmjetëse.

Sipas dokumenteve, Artan Lleshi veç rrogës mujore prej 4 milion e 564 mijë lekë të vjetra si Drejtor i Shërbimit Tregtar në këtë koncesion, ka mundur të përfitojë mbi 1.1 miliard lekë dhe përmes kompanisë “Gama Service”.

Lleshi, hapi kompaninë “Gama Service” duke prerë fatura tatimore me vlerë 1 miliard e 169 milionë lekë tek kompania konçesionare, ku ai ishte emëruar drejtor, pikërisht nga shoku i tij i klasës, Ilir Rrapaj.

Të gjitha këto shitje i ka bërë vetëm me “SaniService”. Ky subjekt ka bërë blerje gjithsej në vlerën 85.692.575 lekë. Nga këto blerje, ka kryer edhe me subjektin “Eumedica Senior” të Umbro Staçini, në vlerën 15.008.804 lekë nga muaji Korrik 2020 deri Dhjetor 2021, si dhe “Steralb” i Xhon Çaushaj, nip i Ilir Rrapaj në vlerën 14.239.057 lekë nga muaji Tetor 2020 dhe Dhjetor 2021.

Po kështu kompania “Albamed 2014″ me ortak Ilir Rrapaj 60% dhe Elisabetta Anzanello 40%, vërehet se ka të deklaruara fatura shitje në vlerën gjithsej në vlerën 38.659.793 lekë. Nga këto shitje i ka bërë vetëm me “SaniService”.

Ky subjekt ka bërë blerje në një total në vlerën 54.872.150 lekë, kryesisht nga “Neëster Systems srl” shoqëri italiane, në vlerën 8.424.906 lekë nga muaji Prill 2017 deri në Mars 2019.

Nga “Tecnosanimed srl” shoqëri italiane, në vlerën 25.1563519 lekë nga muaji Qershor 2016 deri në muajin Janar 2019. Nga “Geonet Sistemi srl” shoqëri italiane, në vlerën 17.933.512 lekë në muajin Dhjetor 2016.

Gjithashti “Eumedica Senior” kompania e Umbro Staçini ka deklaruar fatura shitje gjithsej në vlerën 358.817.451 lekë. Këto shitje i ka bërë tek kompania e tij “SaniService”, në vlerën 49.368.240 lekë, “Gamaservice” e Ilir Rrapaj në vlerën 1 14.561.815 lekë, “Martin Italia srl” shoqëri italiane në vlerën 274.307.237 lekë dhe “Santelara Global M” shoqëri turke, në vlerën 10.337.079 lekë.

Umbro Staçini është ortak me “Tecnosanimed” tek subjekti konçesionar “SaniService” dhe ka qenë ortak tek “Eumedica Senior”, aktualisht administrator dhe tek “Albamed 2014”.

Ndërsa Artan Lleshi është Drejtor i “SaniService” dhe ortak i “Gama Service”. Po kështu vajza e Artan Lleshit, Bora Lleshi ka hapur një kompani duke u bërë ortake e vetme aktuale e subjektit “SITEC”.

Ndërkohë më parë ortak i këtij subjekti ka qënë Mitat Rrapaj, vëllai i Ilir Rrapaj. Të gjitha kompanitë e regjistruara kanë si adrresë të njëjtë “SaniService”.

Po kështu nga verifikimet e “Ora News” del qartë se Drejtori i Komunikacionit në këtë koncesion, Altin Biba, i cili paguhet me një rrogë mujore prej 1 milion e 775 mijë lekë të vjetra, ka kapur një Nipt si person fizik. Nip-ti rezulton të jetë hapur në 23 Maj 2017.

Me të njëjtin objekt veprimi si Altin Biba është hapur dhe një nip-t tjetër fizik me emrin Kleanti Lumi, i cili rezulton të jetë punonjës në kompaninë koncesionare, duke mbajtur detyrën e nënpunësit të Transportit të Mallrave, duke u paguar me një rrogë mujore prej 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra.

Lumi ka hapur nip-tin në 18 qershor 2018, por lista e hapjes së nip-teve të dyshimtë deri në këtë fazë, vijon me Borana Beqirin, teknike-operatore në “Sani Service”. Beqiri paguhen me një rrogë prej 1 milionë e 260 mijë lekë të vjetra si operatore.

Lista vijon me Kristi Timkon, teknik i proceseve të teknologjisë së informacionit në “Sani Service”, i cili merr një rrogë prej 1 milionë e 775 mijë lekë të vjetra./oranews

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME