Friday, November 22, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

REFLEKTIME GUSHTI

Nga Albano Zhapaj – Disa reflektime gushti, që vijnë nën dritën e zhvillimeve të reja shoqërore të popullit tonë, më bëjnë të besoj se, ka ardhur koha që disa nga shprehjet e urta popullore, të rishikohen seriozisht.

Më poshtë po sjell disa shembuj, që mund të edhe pasurohen nga ju, me fjalë të tjera të urta që mund të kem harruar: …..

Fjala e urtë popullore “Mos i shiko gunën, por shikoji punën” është e tejkaluar. Këtu po nuk pate gunë, nuk hyn dot në punë.

Fjala e urtë popullore “I fundit i fshatit të tij, s’mund të jetë i parë në fshatin e botës” duhet hequr nga qarkullimi. Këtu jo i fundit, por i stërfundit, nga sot nesër, e gjen veten të parin e gjithë zonës, e jo vetëm të fshatit të botës.

Fjala e urtë popullore “Kush i bën gropën shokut, bie vetë brenda” nuk gjen më zbatim. Këtu kush i bën gropën shokut, automatikisht ngrihet në detyrë.

Fjala e urtë popullore “Kali i botës të lë në udhë” nuk është më e vërtetë. Këtu kali i botës të bën të pasur.

Fjala e urtë popullore “Ku u bë deti kos, fukarait ju thye luga” nuk gjen më zbatim. Këtu fukarai ka lugë prej floriri, por nuk ka as dhallë, e jo më kos, pale se detit ka kohë që i ka dalë pronari.

Fjala e urtë popullore “Me thuaj ç’shokë ke, të të them se cili je” duhet zëvendësuar me fjalën e urtë “Me thuaj ç’para ke, të të them se cili je”.

Fjala e urtë popullore “Pordha e madhe gris brekët e të zot” është e vërtetë pjesërisht, pasi pordha këtu, përpara se të grisë brekët e të zot, ka qelbur dynjanë.

Fjala e urtë popullore “Pyll pa derra nuk ka” është gjysmë e vërtetë, pasi këtu derra ka plot, e pyje nuk shohim hiç.

Fjala e urtë popullore “Nuk bëhen petullat me ujë” është e tejkaluar. Këtu petullat ka kohë që bëhen me llafe dhe premtime, e plus kësaj ujë s’ka e ujë paguhet.

Fjala e urtë popullore “Nuk mbushet thesi me një kalli” është e tejkaluar. Këtu thesi është mbushur plot e përplot ama …me thasë bosh.

Fjala e urtë popullore “Tek nusja hanë e pinë, te dhëndri gjë nuk dine” nuk gjen më terren. Këtu, le që tek nusja s’kanë ç’të hanë, por edhe dhëndri ka vite që ka ikur në emigrim.

Fjala e urtë popullore “Lulja e këputur, nuk mbin më” është kot fare, sepse lulet ka kohë që i bëjnë plastike dhe na i shesin për të freskëta.

Fjala e urtë popullore “Peshku qelbet nga koka” duhet të ndryshojë me fjalën e urtë bashkëkohore “Peshku qelbet nga, dhe si i do qejfi kokës”.

Ja kështu, jaaa.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME