AKTUALITETEKONOMITOP-NEWS

Rritja e çmimeve të karburanteve godet transportin ndërqytetas, shtrenjtohet bileta Fier–Vlorë

Fier – Rritja e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve po jep ndikim të drejtpërdrejtë në transportin ndërqytetas, duke sjellë rritje kostosh për operatorët dhe ulje të ndjeshme të numrit të pasagjerëve.

Rasti më i dukshëm është ai i linjës Fier–Vlorë, ku çmimi i biletës është rritur nga 300 në 400 lekë të reja.

Kjo rritje ka shkaktuar konfuzion dhe pakënaqësi te qytetarët, ndërsa sipas drejtuesve të mjeteve, është e diktuar nga shtrenjtimi i naftës, i ndikuar edhe nga situata në Lindjen e Mesme.

Taksistët shpjegojnë se në këtë linjë kanë kosto më të larta operimi, pasi shpesh detyrohen të kthehen bosh në një nga drejtimet për shkak të marrëveshjeve mes shoqatave të transportit.

Ndërkohë, në linjat e tjera ndërqytetase çmimet kanë mbetur kryesisht të pandryshuara:

Drejtimi për në Ballsh vijon me 150 lekë të reja

Furgonët dhe autobusët drejt Tiranës mbeten në 500 lekë të reja

Autoveturat për në Tiranë vijojnë me 900 lekë të reja

Taksitë drejt Vlorës e Beratit 400 lekë të reja

Pavarësisht ruajtjes së çmimeve në disa linja, drejtuesit e mjeteve raportojnë një rënie të ndjeshme të numrit të pasagjerëve, që sipas tyre është përgjysmuar.

Ata e lidhin këtë situatë me rritjen e çmimit të karburantit, që po rëndon buxhetet e qytetarëve dhe po kufizon lëvizjen.

E njëjta panoramë paraqitet edhe në transportin me autobusë, ku operatorët paralajmërojnë se, nëse çmimet e karburanteve vijojnë të rriten, edhe tarifat e udhëtimit mund të pësojnë ndryshime në të ardhmen.

Deri tani, rritja e çmimeve është reflektuar kryesisht në linjat Fier–Vlorë dhe Fier–Berat, por pritet të shihet nëse ky trend do të përhapet edhe në linjat e tjera ndërqytetase

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button