Sunday, November 24, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeUncategorizedSerbët: Putin na nguli thikën pas shpine

Serbët: Putin na nguli thikën pas shpine

Thikë pas shpine dhe atë vëllazërore, kështu e ka komentuar nga një pjesë e opinionit në Serbi, pasi presidenti rus Vladimir Putin e kishte përmendur për herë të parë shembullin e Kosovës në kontekstin e njohjes së rajonit separatist pro-rus të Donbasit në Ukrainë.

Logjika e autoriteteve ruse “nëse Kosova mundet, atëherë edhe Donetsku dhe Luhansku munden” nuk është pritur mirë në Serbi, e cila ka aleat të fortë Rusinë që nga 17 shkurti 2008, momenti kur Kosova shpalli pavarësinë.

Por, që Rusia do të vazhdojë të përdorë precedentin e Kosovës për të justifikuar shkëputjen e njëanshme dhe shpalljen e pavarësisë së republikave popullore të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut, e konfirmoi këtë muaj presidenti rus Vladimir Putin në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, kur ai përsëri e përmendi atë shembull, duke shpjeguar njohjen ruse të këtyre dy rajoneve në Ukrainë.

“Kur Kosova shpalli pavarësinë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nën presionin e vendeve perëndimore, mori vendim që, sipas Kartës së OKB-së, kur një shtet shpall pavarësinë, nuk ka nevojë të kërkohet leje nga qeveria qendrore. Kjo do të thotë se republikat e Donbasit nuk duhej të kërkonin leje nga Kievi”, tha Putin, i cili e shprehu një qëndrim pothuajse të njëjtë edhe në takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, shkruan media serbe “Nova”.

Çfarë do të thotë deklarata e Putinit, nëse e përjashtojmë atë nga konteksti të cilit qartë i dedikohet, dhe ai është justifikimi i pushtimit të Ukrainës dhe njohja nga Rusia e pavarësisë së republikave të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut.

Kosova si “monedhë për kusuritje”

Thikë pas shpine Serbisë, që do të ketë si epilog ndryshimin e politikës ruse ndaj qëndrimit të Beogradit zyrtar për pavarësinë e Kosovës, njohjen nga Moska të ekzistencës së shtetit të Kosovës, i pëlqeu ose jo Serbisë, ose në praktikë, nuk do të thotë gjë tjetër veçse një “precedent” ka ndodhur rastësisht në Ukrainë, ndaj duhet trajtuar ashtu.

Ish-ambasadori i Serbisë në Bjellorusi, Sreçko Gjukiç, i cili edhe pas krahasimit të parë të Kosovës me Donetskun dhe Luhanskun potencoi se “Rusia e njohu Kosovën”, dhe përkujtoi për Al Jazeera se Putini e përdor rregullisht Kosovën për interesat e tij.

“Duke iu referuar precedentit, ai gjithmonë thotë se nëse Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë Kosovën e pavarur, pse Rusia nuk mund ta bëjë Osetinë e Jugut të pavarur dhe të ashtuquajturat shtete të tjera. Ai thotë rregullisht se Rusia është më e mirë se Amerika, por ata po ndjekin të njëjtën rrugë. Ai akuzon Shtetet e Bashkuara për luftëra në vende të tjera dhe bën të njëjtën gjë”, shtoi ai.

“Putini e përdor rregullisht Kosovën si nënvalutë për interesat e veta dhe të shteteve të tij të reja, nga Osetia e Jugut dhe Abkhazia, deri te këto dy të ashtuquajtura republika në Donbas. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Kosovën, por për të gjithë Ballkanin, i cili shërben për lojërat e tij interesante”, thotë Gjukiç.

Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane nga Beogradi, thotë se krahas justifikimit të veprimeve në lidhje me Donbasin me fjalët e tij, Putin e ka shfrytëzuar rastin për të vazhduar luftën hibride me Perëndimin, mbi kurrizin e Ballkanit.

“Putini ka përdorur vazhdimisht shembullin e Kosovës në këtë kontekst dhe vazhdon ta bëjë këtë si pjesë e luftës së tij hibride, të cilën ai po e bën jo vetëm kundër Ukrainës, por kundër gjithë Evropës”.

“Nga njëra anë, u ndërpret gazin vendeve që e kanë paguar ose kanë rënë dakord paraprakisht, dhe nga ana tjetër, përpiqet të provokojë në një farë mënyre Perëndimin dhe Bashkimin Evropian, duke destabilizuar disa rajone dhe duke shkaktuar pasiguri në to”.

“E kam fjalën për Serbinë, Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, ku kjo bëhet përmes (anëtarit të Presidencës së BeH nga radhët e popullit serb) Milorad Dodik”, deklaroi Beshiri.

“Kjo është politika e tij në Ballkan që nga viti 1999: të ruajë vazhdimisht tensionet në vendet e Ballkanit Perëndimor. Putini po përdor kështu Kosovën për t’u marrë me Perëndimin. Mediat ruse dhe ato në Serbi, të cilat në një farë mënyre mbështesin ose janë të lidhur financiarisht me Rusinë, përsërisin fjalët e Putinit në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe destabilizojnë më tej situatën në favor të Rusisë”, u shpreh Beshiri.

Një moment i papërshtatshëm për Serbinë

Ministri i Brendshëm serb Aleksandar Vulin ka nxituar të qetësojë pasionet në Serbi me një deklaratë në Twitter, duke thënë se “Rusia nuk ndryshon qëndrimin e saj” dhe se “nuk do ta njohë Kosovën si të pavarur”, por ishin të kundërta reagimet e atyre pro-evropianëve që nuk e miratojnë agresioni rus në Ukrainë dhe zvarritjen e vendosjes së sanksioneve të Serbisë kundër Rusisë.

“Njerëzit që mbështesin Rusinë dhe Putinin, dhe e konsiderojnë atë si mbrojtës të Kosovës brenda Serbisë, dhe ka shumë prej tyre, papritmas u kthjelluan dhe kuptuan se as Putini dhe as Rusia nuk janë realisht të interesuar për Kosovën apo Serbinë, por vetëm për planet dhe interesat e tij, për Rusinë dhe zgjerimin e saj”, komentoi Orhan Dragash, ekspert serb për sigurinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe themelues dhe drejtor i Institutit joqeveritar për Sigurinë Ndërkombëtare.

Pavarësisht pyetjes logjike nëse Rusia do të ndryshojë qëndrimin e saj për çështjen e Kosovës në praktikë, dhe jo vetëm me deklarata të tilla verbale, Leo Beshiri ende nuk mendon se kjo mund të ndodhë.

Deklaratat e Putinit erdhën në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për Serbinë, e cila po përballet me presionin e Perëndimit për të njohur Kosovën si një nga parakushtet në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Nëse mbështetja e Rusisë për Serbinë dobësohet për çështjen e Kosovës, pyetja është se çfarë do të ndodhte më pas?

“Siç qëndrojnë gjërat, nuk besoj se do të ndryshojë diçka. Nëse (presidenti serb) Vuçiç shkon drejtpërdrejt për të sulmuar Rusinë, në kuptimin që, për shembull, në disa raste ekstreme ai nacionalizon Industrinë e Naftës së Serbisë (që iu shit rusëve), vendos sanksione ndaj Rusisë, dëbon diplomatët rusë dhe një pjesë të mirë të spiunëve, mbyll qendrën humanitare në Nish, atëherë ndoshta mund të pritej një reagim më drastik nga Moska”, tha Beshiri.

Megjithatë, ai nuk pret që të ndodhë kështu.

“Për momentin më duket se Vuçiç është i vetëdijshëm për të gjitha mesazhet që vijnë nga Moska, se ato nuk janë të drejtuara vetëm kundër të ardhmes euroatlantike të Serbisë, por i dërgojnë mesazh regjimit të Vuçiçit, si dhe atyre që do të sulmojnë drejtpërdrejt Rusinë rrezikohet seriozisht siguria e tyre. Është e qartë se Rusia në këtë moment është e vetmuar dhe e shqyer nga disa anë, por historia ka treguar se ajo është hakmarrëse, për çka Vuçiç është i vetëdijshëm”, shtoi ai, transmeton Telegrafi.

I pyetur nëse qëndrimet e Putinit për Kosovën dhe rajonet e Donbasit mund të ndikojnë në klimën në Serbi për shkak të vendosjes së sanksioneve, të cilat po i nënshtrohen presioneve si nga SHBA ashtu edhe nga BE, Beshiri tha se nuk pret reagime të befasishme.

“Nuk do t’i ndihmoj ato deklarata në asnjë mënyrë, veçanërisht pasi po forcohet në Serbi krahu i djathtë i një disponimi dukshëm pro-rus. Ai është i vetëdijshëm për këtë. Ekziston një masë e fortë kritike në Serbi, agresive dhe e dhunshme, e cila mund të mobilizohet nëse qeveria ose Vuçiç historikisht do t’i thoshin jo Moskës. Por, siç janë gjërat, nuk duhet të ketë reagime të papritura nga Beogradi dhe Moska, ndërsa Vuçiç në heshtje do të vazhdojë të qëndrojë në anën e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, me pretekstin se Serbia nuk e dëshiron këtë, por është e detyruar”, deklaroi Beshiri.

Gjukiç nuk pret ndryshime në politikën e Rusisë ndaj Kosovës në rrethanat aktuale, por shtron edhe çështjen e ndikimit të ardhshëm të Rusisë në skenën politike botërore, ku Kremlini deri më tani ka të ndarë interesat e Serbisë.

“Ne me të vërtetë nuk mund ta dimë se si do të duket bota pas 24 shkurtit. Pyetja është nëse Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të duket si deri tani dhe nëse do të zgjidhen atje disa çështje kyçe të politikës botërore. Dhe a do të ketë fare të drejtë vetoje (me të cilën Rusia ka vendosur deri tani për Kosovën)? Tani ne kemi sjelljen e Rusisë në mënyrën e një fuqie të madhe, por ajo nuk ka kapacitet dhe parakushte për një sjellje të tillë”, tha ai.

“NATO do të miratojë së shpejti një koncept dhe strategji krejtësisht të re veprimi dhe do të kthehet në një aleancë ushtarako-politike. Pritet krijimi i instituteve të reja ndërkombëtare, në të cilat nuk do të jetë Rusia, prandaj pyetja është se deri në çfarë mase Rusia do të kërkojë diçka. Dhe nëse do të pyetet, ajo do të veprojë në mënyrë pragmatike dhe në përputhje me interesat e saj dhe do të përpiqet t’i zgjidhë problemet e saj sërish përmes Kosovës”, ka shtuar Gjukiç.

Analisti politik nga Kosova Shkëlzen Maliqi gjithashtu pret që Putin të vazhdojë të luajë ekskluzivisht lojën e tij.

“Këto deklarata nuk janë asgjë e re. Kosova ka qenë në këto histori që nga rajonet gjeorgjiane. Vlerësimi im është se Putini do të luajë edhe këtë edhe atë kartë, ashtu siç dëshiron në një moment të caktuar dhe në varësi të interesave të tij”, tha Maliqi.

“Unë pres që Putini të vazhdojë të përdorë të drejtën e vetos në OKB kur është fjala për Kosovën dhe të jetë kundër njohjes së saj”, shtoi ai.(Albaniapost)

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME