Gjatë raportimit vjetor para Kuvendit, i pyetur nga Agron Shehaj për përfshirjen e Ramës tek afera e inceneratorëve, apo e Veliajt tek “5D”, Altin Dumani dha një përgjigje formale, por me një nëntekst brenda.
Shehaj e pyeti shefin e SPAK nëse ai vërtetë besonte se Edi Rama nuk ishte i përfshirë tek Inceneratorët dhe se kjo aferë 400 milionë euroshe ishte vjedhje e Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit.
Gjithashtu kreu i Partisë Mundësia pyeti Dumanin nëse ai vërtetë besonte se Erion Veliaj nuk ishte pjesë e skandalit të kompanisë së drejtorëve të tij “5D”.
Shefi i SPAK tha se nuk mund të jepte mendim si prokuror, por se çdo gjë ka kohën e vet.
“Tani, ju pyesni, a mendoni se kryeministri nuk ka dorë te inceneratori? Te “5 D”, a mendoni që nuk ka pjesë Veliaj, etj?
Prokurori nuk i lejohet të shfaqë mendime kështu, por prokurori ka vetëm një detyrim, të grumbullojë provat dhe pastaj të disponojë me aktet proceduriale përkatëse. Kjo është detyrë e prokurorit. Nuk mund të japë mendim dhe unë këtu jam edhe si drejtues i Prokurorisë së Posaçme, por edhe si prokuror, pasi në radhë të parë jam prokuror pastaj drejtues i Prokurorisë së Posaçme.
Por, zoti Shehaj, çdo gjë ka kohën e vet, e thashë edhe pak më parë. Hetimi kërkon ndërveprimin e shumë institucioneve, personave të ngarkuar me hetimin, jo se dua të justifikohem me zgjatjen e afatit të hetimit, por vërtet që janë çështje që kërkojnë angazhim të burimeve njerëzore si dhe të infrastrukturës së nevojshme.” – u shpreh kreu i SPAK, Altin Dumani.