Saturday, December 7, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIShqipëria më e fortë në turizëm, më dobët në industrinë e automobilave

Shqipëria më e fortë në turizëm, më dobët në industrinë e automobilave

Ekonomia e Shqipërisë dominohet nga sektori agro-ushqimor dhe turizmi, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut po integrohen në zinxhirët e lartë të vlerës globale, me investime në industrinë automative dhe në  teknologjinë e informacionit TIK

Një analizë për kontributin e sektorëve në ekonomitë e vendeve në Ballkanin Perëndimor nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare tregon se, ekonomia e Shqipërisë dominohet nga sektori agro-ushqimor dhe turizmi, ndërkohë që Serbia dhe Maqedonia e Veriut po integrohen në zinxhirët e lartë të vlerës globale, me investime në industrinë automative dhe në teknologjinë e informacionit (TIK).

Shqipëria ka avantazhe krahasuese vetëm në turizëm dhe energji, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, të gjithë sektorët janë më të nxitur se në Shqipëri.

Agro-industria, Shqipëria me peshën më të lartë në PBB

Studimi i Institutit të Vjenës referoi se sektori i agro-industrisë ka peshën më të lartë në PBB. Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, ky sektor zë 25% të PBB-së, ndërsa në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, 10-15%.

Studimi tregon se të gjitha vendet në Ballkan kanë avantazh krahasues në sektorin e agro-industrisë, falë politikave mbështetëse, përveç Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Marrëveshja e Gjelbër Europiane, kryesisht në aspektin e prodhimit ekologjik dhe të qëndrueshëm të ushqimit po nxit segmente të shkencës dhe teknologjisë, që lidhen direkt me industrinë ushqimore në disa vende të rajonit. Institucioni që ka reputacion të lartë edhe në BE është Instituti BioSense i Serbisë.

Industria tekstile, peshë të lartë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri

Pjesa e sektorit të tekstilit në PBB nuk është shumë e lartë në Ballkanin Perëndimor. Ajo përbën deri në 4% të vlerës së shtuar në Maqedoninë e Veriut, rreth 3% në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe rreth 2%, ose më pak, në ekonomitë e tjera.

Megjithatë, sektori është i rëndësishëm, sepse punëson një numër të madh njerëzish në rajon, pavarësisht produktivitetit të ulët dhe shfrytëzimit intensiv të krahut të punës.

Të dhënat tregojnë se në Shqipëri, Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut, tekstili ka avantazh krahasues. Industria është gjithashtu e rëndësishme për kohezionin social, pasi punëson shtresat më të varfra dhe ndihmon në uljen e varfërisë dhe pabarazisë. Duke punësuar kryesisht femra ka kontribuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në barazinë gjinore dhe emancipimin.

Për më tepër, industria tekstile ka krijuar një traditë të fortë për ekonomitë ballkanike, fuqia punëtore e të cilave është e kualifikuar në aktivitete të tilla.

Industria tekstile gjithashtu përbën potencial të madh për lidhjet ndërindustriale (p.sh. lidhjet me industrinë e automobilave, bujqësinë dhe ushqimin) si dhe lidhjet ndër-rajonale, duke ofruar hapësirë për bashkëpunim.

Industria e makinave, Shqipëria më dobët në rajon

Sektori i automobilave përbën një pjesë relativisht të vogël të vlerës së shtuar në pjesën më të madhe të Ballkanit Perëndimor. Përqindja më e lartë është në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, me rreth 1.5 dhe 2% të PBB-së.

Siç shihet nga studimi, pesha e industrisë së makinave është afër zeros në Shqipëri. Në Bosnjë, ky sektor zë rreth 1% të PBB-së, në Maqedoninë e Veriut, rreth 2%, në Serbi rreth 1.5%, në Kosovë rreth 1.5% dhe në Malin e Zi, afër 0.5%.

Nga gjashtë ekonomitë, vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë një avantazh të lehtë krahasues në sektorin e industrisë së makinave. Këto dy vende në Ballkan kanë më shumë kapacitete dhe mundësi për përmirësim teknologjik dhe integrim në zinxhirët e furnizimit global.

Me kalimin e kohës, pritet që lidhjet të rriten (d.m.th. do të rritet pesha e eksporteve). Kompanitë aktive në këtë fushë janë të reja, të krijuara vetëm në vitet e fundit dhe pritet të përmirësohen në vitet e ardhshme. Industria po vazhdon të tërheqë flukse të forta të IHD-ve në rajon.

Energjia, Shqipëria me potencial të pashfrytëzuar

Sektori i energjisë është mjaft i madh në Ballkanin Perëndimor, me peshë të konsiderueshme në PBB që varion ndërmjet 3% dhe 6% në të gjitha ekonomitë. Të gjitha ekonomitë kanë avantazhe krahasuese.

Për më tepër, në të gjithë Ballkanin Perëndimor sektori ka pozicion “në rrjedhën e sipërme” në zinxhirët e vlerës globale (eksporteve), që është një veçori pozitive.

Industria mbështetet nga nisma të ndryshme qeveritare në rajon dhe është gjithashtu shumë i rëndësishëm për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane.

Potenciali shkencor i rajonit në fushën energjetike është gjithashtu i fortë, me një sërë organizatash arsimore, shkencore dhe kërkimore që mund të mbështesin dhe përmirësojnë konkurrencën e industrisë përmes inovacionit dhe kërkimit dhe zhvillimit (R&D).

Së fundi, ekonomitë e Ballkanit Perëndimor kanë burime të pasura dhe të papërdorura natyrore për prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe Shqipëria kryeson në këtë drejtim.

Turizmi, Mali i Zi dhe Shqipëria, në avantazh

Përqindja e sektorit të turizmit në PBB varion nga 1% në Kosovë, 4% në Shqipëri dhe mbi 10% në Mali të Zi. Në të gjitha ekonomitë, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, pesha e turizmit në ekonomitë e Ballkanit ka shfaqur tendencë të lehtë rritëse, që nga viti 2012.

Shqipëria dhe Mali i Zi kanë avantazh në këtë sektor, pasi tashmë janë destinacione të njohura turistike. Ekonomitë e tjera nuk e kanë këtë avantazh, por perspektivat e tyre po përmirësohen.

Të gjitha ekonomitë në rajon kanë potencial të lartë për zhvillimin e turizmit, duke përfshirë turizmin dimëror, agro-turizmin, turizmin historik dhe atë shëndetësor.

Turizmi ka gjithashtu shumë lidhje me industri të tjera, si p.sh., bujqësinë dhe ushqimin, si dhe ndikimet për ruajtjen dhe restaurimin e ekosistemeve dhe biodiversitetit, të cilat lidhen drejtpërdrejt me axhendën e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

Turizmi mund të ketë ndikim pozitiv, pasi kontribuon në zhvillimin e balancuar rajonal dhe punëson shumë njerëz, veçanërisht nga grupet e pafavorizuara sociale, si gratë dhe të rinjtë.

TIK, Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, në avantazh

Industria e teknologjisë së informacionit (TIK) përbën pothuajse 3% të vlerës së shtuar në Serbi dhe pothuajse 2% në Bosnjë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vetëm rreth 1% në Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë. Në të gjitha ekonomitë (me përjashtim të Malit të Zi), industria është në rritje. Të dhënat për Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut tregojnë një avantazh të lehtë krahasues, me një tendencë në rritje.

Një tendencë e tillë mund të shihet edhe për Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë, ndonëse në një nivel më të ulët. Industria është e lidhur me axhendën dixhitale të BE-së dhe gjithashtu ka mbështetje nga qeveritë në rajon, përmes nismave të ndryshme.

Ajo ka një komunitet të fortë biznesi në rajon dhe ka lidhje me të lojtarët globalë, të cilët rrisin potencialin për punësim dhe konkurrueshmëri.


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME