Trajneri i Kombëtares U-15, Armand Dama ka zbardhur këtë të premte listën me emrat e 21 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore kundër Maqedonisë së Veriut më 7 dhe 9 qershor.
Një pjesë e mirë e lojtarëve të ftuar vijnë nga kampionati shqiptar dhe bëhet fjalë për futbollistë që janë monitoruar vazhdimisht dhe disa prej tyre kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipit kombëtar U-15. Sakaq, 9 prej tyre vijnë nga jashtë, ndërsa aktivizohen në kampionatin italian me klube si Juventus, Fiorentina, Genoa, Padroense e Pordinone, por edhe lojtarë kuqezi që luajnë në kampionatin anglez si QPR e Southampton. Ndërkaq, dy futbollistë të tjerë vijnë nga kampionati amerikan dhe gjerman. Mes të grumbulluarëve është edhe 15 vjeçari fierak Alvi Kumbaro.
Kuqezinjtë e vegjël e nisën grumbullimin të dielën e 4 qershorit në Pogradec, ku zhvilluan edhe seancat stërvitore në kuadër të përgatitjeve për këto dy ndeshje të rëndësishme miqësore.
Ndeshja e parë kundër Maqedonisë së Veriut do të luhet më 7 qershor në ora 17:00 në Ohër. Më pas, ekipi do të akomodohet në Elbasan, ku do të përgatitet edhe për takimin e dytë miqësor kundër Maqedonisë së Veriut më 9 qershor në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në ora 18:00.
Sfidat kundër Maqedonisë së Veriut janë në vazhdën e miqësoreve që Departamenti i Ekipeve Kombëtare ka planifikuar për Shqipërinë U-15 për këtë vit. Këto miqësore i shërbejnë shumë stafit të ekipit kombëtar U-15 për të formuar grupin me lojtarët e vitlindjes 2009, të cilët do të marrin pjesë më pas edhe në turne të UEFA-s për moshat U-15.