POLITIKË

Shtypja me forcë e protestës në Tiranë, Rama çon Demon për “specializim” në Itali

Edi Rama ka nisur në Itali Ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, për të mësuar taktika të reja se si të shtypë me dhunë dhe masa represive protestat e të rinjve në Tiranë.

Në një video-mesazh, ministri që qëndron pas dhunës barbare të policisë ndaj studentëve rrugëve të Tiranës këto 10 ditë, thotë se po shqyrton përvojat e vendeve europiane për të parandaluar dhunën. 

“Zhvillimet e fundit në Shqipëri kanë nxjerrë në pah nevojën për të ndërmarrë hapa konkretë për forcimin e sigurisë publike dhe parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës. Italia ka ndërmarrë masa konkrete në këtë drejtim, ashtu si dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Ne po i shqyrtojmë me vëmendje këto përvoja për të forcuar instrumentat ligjorë dhe kapacitetet tona institucionale. Dua të jem shumë i qartë për një gjë: E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese dhe ne jemi plotësisht të vendosur ta garantojmë dhe ta mbrojmë.

Por e drejta për të protestuar nuk është e drejtë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë, apo për të shkatërruar pronën publike, si dhe atë private”, thotë Ervin Demo. 

Në fakt sjellja e Ministrit të Punëve të Brendshme gjatë protestave ishte e cuditshme. Herë doli dhe sulmoi policinë për dhunën, pastaj u fsheh disa ditë duke mos bërë asnjë deklaratë e duke mos mbajtur asnjë qëndrim. Në një moment tjetër doli me deklaratë të shkruar nga Edi Rama.

Pati zëra për një përplasje të tij me kryeministrin për keqmenaxhimin e situatës së krijuar nga protestat e të rinjve.

Policia e Shtetit degradoi përgjatë këtyre protestave në një milici që dhunonte barbarisht të rinjtë rrugëve të kryeqytetit. Fytyra e vërtetë e dhunës më shumë sesa ata policë është në fakt Edi Rama dhe Ervin Demo. Të rinjtë dhe qytetatët e Tiranës nuk duhet ta harrojnë këtë fakt. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button