2 vjet pasi një gjyq në Ekuador i dha lirinë Dritan Rexhepit. Gazeta ekuadoriane “El Universo” shkruan se prej më shumë se 1 viti autoritetet nuk dinin gjë për të, pasi ai nuk po përmbushte kushtet e vështira të lirimit, por emri i shqiptarit doli sërish në dritë.
Autoritetet turke njoftuan zyrtarisht se Rexhepi, kreu i narko-grupit të njohur si “Kompania Bello”, u ndalua në Stamboll në kuadër të një operacioni të përbashkët të quajtur “Karteli”, ku ishin të përfshirë policë nga Italia dhe Shqipëria. Rexhepi u zhduk nga radarët e autoriteteve ekuadoriane në fillim të vitit 2022 kur u konstatua se ai nuk po respektonte marrëveshjen e bërë me gjykatën, e cila dha miratimin për një kërkesë lirimi të kërkuar për arsye shëndetësore. Në vend të burgut, ai u urdhërua të përdorte një byzylyk elektronik, duhet të raportonte periodikisht dhe i ndalohej dalja jashtë vendit.
Shqiptari ishte në burg që nga viti 2014, pasi ishte një nga 11 të arrestuarit e një operacioni të kryer në Ekuador kundër trafikut të drogës. Njeriu i njohur si “Car” apo “Mbreti i kokainës” u dënua në Ekuador me 13 vjet burg, nga të cilat kreu vetëm 7. Ai u lirua nga burgu në vitin 2021, pavarësisht se ndaj tij kishte kërkesa për ekstradim nga Italia dhe Shqipëria.
Në fillim të vitit 2023, disa audio dhe informacione të publikuara nga gazeta “La Posta”, në kuadër të një rrjeti të quajtur “Kumbari i madh”, nxorën në dritë emrat e Dritan Rexhepit apo Dritan Gjikës (shqiptari mbante të paktën 6 emra të rremë për të lëvizur dhe për kryer biznese të paligjshme).
Raportet citonin, ndër të tjera, se Rexhepi mbante një marrëdhënie biznesi me milionerin Rubén Cherres. Mes tyre ata themeluan të paktën 13 kompani, shumica të lidhura me ndërtimin dhe të pasurive të paluajtshme. Vëzhgimet e policisë zbuluan takime dhe biseda të panumërta mes Cherres, Rexhepit apo Gjikës dhe individëve që janë pjesë e asaj që njihej si mafia shqiptare.
Marrëdhëniet e biznesit mes Cherres, Rexhepit dhe mafies shqiptare tërhoqën vëmendje, jo vetëm sepse ishin biznese që me sa duket kishin të bënin me krijimin e kompanive mbulesë për transportin e drogës nga Ekuadori në Evropë dhe pastrimin e parave, por edhe për miqësinë e ngushtë të biznesmenit Cherres dhe Danilo Carrera, kunatit të presidentit të Republikës, Guillermo Lasso.
Raportet e policisë tregojnë se karteli i udhëhequr nga Rexhepi transportonte ngarkesa të panumërta miliona dollarëshe droge nga vendet e Amerikës së Jugut në Evropë. Besohet se shqiptari, gjatë kohës që ishte i ndaluar në Ekuador, ka vijuar të drejtojë dërgesat e drogës, situatë kjo që ishte shtuar kur ai doli nga burgu dhe ishte jashtë sistemit të drejtësisë ekuadoriane.
Dritan Rexhepi ishte në kërkim ndërkombëtar pasi kishte dënime për vrasje me dashje, trafik droge, rrëmbim, falsifikim dokumentesh udhëtimi, armësh dhe municioni. Para se të mbërrinte në Ekuador, shqiptari ishte arratisur tashmë nga burgjet në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë.
Si Cherres ashtu edhe Carrera, si dhe zyrtarë të tjerë publikë, ish-funksionarë publikë, biznesmenë dhe ndërmjetës, nisën të hetoheshin nga Prokuroria në janar për përfshirje në një rrjet korrupsioni në kompanitë publike në sektorin e energjisë elektrike. Carrera u hetua për ndikim në emërimin dhe ndryshimet në pozicione të larta të kompanive publike në sektorët e naftës dhe energjisë elektrike.
Në fund të shkurtit, Prokuroria raportoi mbi kërkesën e bërë një gjyqtar për të rihapur çështjen e ngritur nga një prokuror i cili po hetonte një rrjet trafiku substancash që i nënshtroheshin kontrollit, në të cilin supozohej se shfaqej emri i Cherres, Carrera dhe individëve të lidhur me mafian shqiptare. U tha se vendimi për rifillimin e hetimeve është marrë pas një analize dhe konstatimit të elementeve të reja të dënimit.
Rubén Cherres ishte në kërkim në atë kohë, por muaj më vonë, në fund të marsit, ai u vra në një shtëpi në Punta Blanca së bashku me partneren e tij, shoferin dhe rojën e sigurisë së shtëpisë. Një nga motivet u tha se ishte përfshirja në trafikun e drogës në të cilën me sa duket janë përfshirë shtetas shqiptarë dhe që mund të kishin lidhje me punësimet dhe emërimet në pozicione publike kyçe.
Investigimi gazetaresk i quajtur “Kumbari i Madh” krijoi shqetësim tek qeveria e Guillermo Lasso. Nga 25 tetori, Prokuroria ka kërkuar që të zhvendosë çështjen. Prokurorja Luzmila Lluglla i kërkoi një gjyqtari antikorrupsion një datë për të ngritur akuza kundër 7 të dyshuarve për pjesëmarrje në këtë rrjet të dyshuar të korrupsionit në kompanitë publike në sektorin e energjisë elektrike. ©Marrë me shkurtime nga “El Universo”, përshtati në shqip LAPSI.al