Pas rritjes të kërkesës për apartamente me qira në Tiranë, tashmë nomadët dixhitalë kanë “zbuluar” një tjetër destinacion, Sarandën, por në qytetin bregdetar të jugut ata po shfaqin interes për blerje të shtëpive.
Eron Çumani administratori i agjencisë së pasurive të paluajtshme “Investment Property Sarandë” nënvizon se kërkesa për prona në Sarandë është rritur krahasuar me vjet.
Kërkesa për prona veçon Çumani dominohet nga të huajt, si shtetasit, gjermanë, suedezë, holandezë, danezë, anglezë, italianë.
Sipas tij blerësit potencialë janë ata të moshës mbi 40 vjeç deri në 70 vjeç. Ata vijnë nga vendet perëndimore të Europës që zgjedhin prona luksoze. Ndërsa grupmosha e blerësve 35 deri 40 vjeç dominohet nga nomadët dixhitalë, kryesisht të profesioneve IT.
“Qëllimet e blerjes së pronës janë gjithëpërfshirëse, si nga dhënia e tyre për qira pasi çmimet e qirave mujore dhe ditore janë rritur 20 deri 40%, por edhe si shtëpi e dytë për verim apo banimi për punonjësit në profesionet IT që punojnë online”.
Sipas përllogaritjeve të agjencisë kthimi i investimit për pronë në Sarandë nëpërmjet qiradhënies është 10 deri në 15 vjet.
Agjencitë imobilare pohuan se edhe vjet pati një rritje të kërkesës për apartamente me qira në Tiranë nga nomadë dixhitalë, kryesisht në profesionet IT.
“Flukse të larta të kërkesës për apartamente ka kryesisht nga shtetas rumunë, amerikanë, turq, holandez, gjermane. Ata po punojnë remote në Shqipëri për periudha 6 muaj deri në 1 vit. Më tepër janë shtetas me profesion IT. Kryesisht të huajt preferojnë zona ku aksesi është i rehatshëm në këmbë dhe apartamente me mobilime të reja dhe moderne. Shumë prej të huajve kanë sjellë edhe fëmijët për të jetuar në Tiranë për periudhën që ata punojnë këtu, për shkak të pranisë së shumë kolegjeve që ofrojnë mësim në gjuhën angleze”, pohuan më herët ndërmjetësuesit e pasurive të paluajtshme nga “Century 21 CPM Smart”.
Sipas “Digital Nomad Statistics” vlerësohet se ka rreth 35 milionë nomadë dixhitalë në mbarë botën. Nomadët dixhitalë kontribuojnë me një vlerë ekonomike globale prej 787 miliardë dollarësh në vit.
Nëse lëvizja globale nomade dixhitale do të ishte një vend, do të renditej në vendin e 41-të në botë për sa i përket popullsisë.
Demografia e nomadëve dixhitalë po ndryshon vazhdimisht. Për shembull, në vitin 2020, 79% e nomadëve u identifikuan si meshkuj. Tani, nomadet femra dixhitale përbëjnë 48% të kësaj industrie.
Grupmosha për një nomad dixhital është e gjerë, me mosha që variojnë nga 17 deri në 72 vjeç. Megjithatë, mosha mesatare e një nomadi dixhital është 34 vjeç.
Për 2023 shumica e nomadëve dixhitalë vijnë nga SHBA në 23,2 mln, më pas janë europinët, latinët, afrikanët dhe indianët./Monitor