Myrto Uzuni vijon të shkëlqej me fanellën e Granadës në La Liga 2 në Spanjë. Bomberi shqiptar rrëmbeu skenën mbrëmjen e djeshme në kampionat teksa realizoi dopietë duke udhëhequr listën e golashënuesve me 17 gola.
Uzuni zhbllokoi sfidën ndaj Tenerifes, teksa u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 6-të. Ndërkohë që në minutën e 82-të, ai kompletoi dopietën, po nga pika e bardhë e penalltisë, duke vulosur suksesin e skuadrës së tij 2-0.
Talenti nga Berati është padyshim lideri i Granadës në këtë sezon, teksa me golat e tij po e ndihmon skuadrën bardhëkuqe që të rikthehet në elitën e futbollit spanjoll.
Kjo është ndeshja e katërt radhazi që 27-vjeçari shënon në kampionat me Granadën si dhe dopieta e dytë në 3 ndeshje. Kujtojmë që Uzuni mungoi në 2 ndeshje ndaj Levantes dhe Ibizës për shkak të dëmtimit të pësuar. Një formë me të vërtetë e jashtëzakonshme!