BOTA

Valët e të nxehtit dhe zjarret rrisin ndotjen vdekjeprurëse të ajrit

Valët e të nxehtit dhe zjarret në pyje po pengojnë përpjekjet për ajër të pastër, sipas një raporti të publikuar të hënën nga Organizata Meteorologjike Botërore (WMO).

Raporti thotë se temperaturat në rritje jo vetëm që favorizojnë zjarret ekstreme, tymi toksik i të cilave përmban grimca të imëta veçanërisht të dëmshme, por gjithashtu nxisin formimin e ozonit në nivelin e tokës një gaz irritues që dëmton sistemin e frymëmarrjes, bujqësinë dhe ekosistemet.

WMO publikoi raportin e saj vjetor mbi klimën dhe cilësinë e ajrit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër, më 7 shtator.

Ndërsa rregulloret më të rrepta në Evropë dhe Amerikën e Veriut kishin ulur emetimet nga industria dhe transporti vitet e fundit, ndotja nga grimcat e imëta (PM2.5) e shkaktuar nga zjarret po rritej në të njëjtën kohë, thuhej në raport.

WMO iu referua një studimi që tregon se numri i ngjarjeve ekstreme të zjarreve në pyje në mbarë botën është trefishuar që nga vitet 1990. Vlerësohet se kjo ka kontribuar në gati 100,000 vdekje shtesë midis viteve 2010 dhe 2018.

Grimcat e imëta mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe në qarkullimin e gjakut, duke rritur rrezikun e infarkteve, aritmive kardiake, goditjeve në tru dhe embolive pulmonare.

Ozoni përbën një rrezik shtesë: temperaturat e larta, kushtet e qëndrueshme të motit dhe rrezet e forta të diellit – kushte tipike gjatë valëve të të nxehtit – bëjnë që përqendrimet e ozonit në nivelin e tokës të rriten.

Ekspozimi afatgjatë ndaj ozonit lidhet me një vdekshmëri më të lartë, veçanërisht nga sëmundjet e frymëmarrjes. Barra e shtuar nga ndotja me ozon mund të kontribuojë gjithashtu në dhjetëra mijëra vdekje të tjera të parakohshme./DPA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button